Kërcënimi i gjyqtarit, Shoqata Kombëtare: Është serioze; jemi të keqardhur për mungesën e reagimit

19/10/2019 13:45

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e konsideron një kërcënim serioz alarmin e rremë për bombë që u dha pak ditë më parë ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo.

Ishte i dënuari me burg, Neim Behari, që telefonoi policinë për vendosjen e një sasie eksplozivi në makinën e gjyqtarit, por që më pas nuk rezultoi e vërtetë.

Shoqata Kombëtare thotë se ka ndjekur me shqetësim këtë ngjarje dhe në të njëjtën kohë, ndjehet e keqardhur për apatinë dhe mungesën e reagimit të duhur nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore.

“Ngjarje të tilla, jo vetëm cenojnë ushtrimin në mënyrë të rregullt dhe efiçente të detyrës nga ana e gjyqtarëve por krijojnë edhe një pështjellim në jetën private dhe familjare të tyre. Nga ana tjetër, kur precedentë të tillë të rrezikshëm, shoqërohen me mosreagimin e organeve kompetente për ndjekjen dhe hetimin e tyre, situata bëhet akoma edhe më të rëndë e shkurajuese për trupën gjyqësore, për kryerjen e misionit të tyre fisnik të dhënies së drejtësisë”, thuhet në reagim.

Burime nga Gjykata e Korçës bëjnë të ditur se Neim Behari, i cili vuan dënimin prej 24 vitesh në burgun e Drenovës, për grabitje, ka pasur një proces gjyqësor me gjyqtarin Markelian Kuqo, me objekt “ndryshimi i llojit të regjimit të sigurisë së burgut”.

Behari, për shkak të llojit të krimit që ka kryer, vuan dënimin në regjimin e sigurisë së lartë të burgut të Drenovës dhe në padi ka kërkuar të kalojë në regjimin e sigurisë së zakonshme.

Deri tani janë zhvilluar tre seanca gjyqësore, ku e fundit është mbajtur në datën 9 tetor dhe gjyqtari Markelian Kuqo, ende nuk ka konkluduar me vendim për kërkesën e të dënuarit për grabitje.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel