Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate, i tregoi presidentit tw Serbisë, Aleksandar Vuçiç se duhet ta dijë se “Kosova është demokraci, në të cilën askush askujt nuk ia imponon identitetin ose simbolet, e aq më pak mund të censurohet vullneti politik i një subjekti”.
“Vuçiç i cili para pak muajve në Mitrovicë mbajti fjalim lavdërues për (Sllobodan) Miloshevicin, nuk është as në pozitën morale e as politike të ankohet për simbolet tona kombëtare, me të cilat kurrë nuk kemi pushtuar e nuk kemi dëmtuar asnjë fqinj”, ka thënë Liburn Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë mënyrë, ky subjekt politik i është përgjigjur një shkrimi të presidentit të Serbisë, në rrjetin social Twitter pas një takimi që Kurti kishte zhvilluar në zyrat e Vetëvendosjes në Prishtinë me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.
Aty, në fotografi nga takimi ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ambasadorit Nicholas Abbott shihej në sfond flamuri kombëtar shqiptar. Kjo fotografi ishte bërë shkas për shkëmbimin e pyetjeve dhe përgjigjeve përmes rrjetit social Twitter, ndërmjet presidentit të Serbisë, Vuçiç dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.
Top Channel