United apo Liverpool- “Djajtë e kuq”, mungesa në Premier League

17/10/2019 10:54

Përballja mes Mancester Junaitid dhe Liverpulit është ajo që gjeneron më shumë interes dhe të ardhura në kampionatin më të fortë të futbollit në planet, por 90 minutëshi i programuar këtë fundjavë, do të ketë mungesën e disa protagonistëve.

Në kampin e Djajve të Kuq, Pol Pogba’ dhe David De Gea cilësohen si të padisponueshëm për sfidën në shtëpi, duke iu shtuar problemeve për ekipin që synon rikthimin në Champions, por e sheh veten gjithnjë e më larg.

Mancester Junaitid luan pasditen e së dielës në stadiumin Ol Treford ndaj Liverpulit, me synimin për ti dhënë fund rekordit të rivalëve të përjetshëm këtë sezon, me 100% të pikëve në 8 ndeshjet e para. Por skuadra e drejtuar nga Ole Gunar Soklskjaer nuk do të ketë portierin titullar dhe mesfushorin influencues, kampion bote.

David De gea u dëmtua duke mbrojtur kuadratin e Spanjës në impenjimin në eliminatoret e Europianit dhe problemet muskulare të portierit e bëjnë të padisponueshëm për një javë.

Pol Pogba’ ndërkohë vazhdon të ketë probleme nga rikuperimi në dëmtimin në shputën e këmbës dhe pritet të rikthehet vetëm në muajin Nëntor. Djajtë e kuq janë në vendin e 12 në Premier Lig, me vetëm 9 pikë në 8 ndeshje ndërsa Liverpul kryeson me të gjitha ndeshjet e fituara.

Top Channel