​Gashi: Abelard Tahiri është i vogël edhe me vite edhe me dije, ai është në panik

16/10/2019 18:25

Të pavërteta, tendencioze dhe jo profesionale i ka quajtur ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri deklaratat e avokatit Tomë Gashi. Ky i fundit gjatë ditës së djeshme kishte deklaruar se raporti përfundimtar i ekspertizës së Astrit Deharit është pranuar para disa ditëve nga Ministria e Drejtësisë.

Megjithatë, Gashi si avokat i angazhuar për rastin “Dehari”, thotë për KosovaPress  se është informuar nga vetë instituti në Lozanë se autopsia është kryer pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, mirëpo autorizimin e rezultateve të saj, i është thënë se e ka institucioni që e ka përcjellë kërkesën, pra Ministria e Drejtësisë.

Gashi: Abelard Tahiri është i vogël edhe me vjet edhe me dije Video“Sa i përket reagimit të sotëm të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, unë besoj që ai është shumë i vogël edhe me vjet edhe me dije që të kundërshtoj diçka që është në formë të shkruar, dhe kjo që është në formë të shkruar është nga Instituti Zvicran i Mjekësisë Ligjore në Lozanë, në formë të shkruar që ata kanë deklaruar se ekspertiza apo raporti i është dërguar institucionit nga i cili kanë marrë një urdhër për ekspertizë.

Në reagimin e Abelard Tahirit, ai vetë e konfirmon se kjo ekspertizë është kërkuar nga MD dhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Zvicër deklaron se kësaj ministrie ju ka kthyer përgjigje në formë të raportit”, thotë Gashi.

Gashi shton se  para shtatë ditëve ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që në formë të shkruar të përgjigjet dhe të dërgojë një kopje të raportit të Institutit Zviceran, por që të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesës së tij. Gashi: Komunikimet me shtetin tjetër bëhen përmes Ministrisë së Drejtësisë Video“Duket që Abelard Tahiri në cilësinë e ministrit ka një lloj panike apo një lloj mosdije totale, elementare të sistemit juridik në Kosovë sepse as Prokuroria e Shtetit as Aleksandër Lumezi, as prokurori Metush Biraj nuk kanë të drejtë ligjore që të komunikojnë në mënyrë direkte me kurrfarë instituti qoftë zviceran apo cilido në botë.

Por në të gjitha komunikimet zyrtare në mes një shteti apo shteti tjetër bëhen nga Ministria e Drejtësisë”, shton Gashi.

Përmes një komunikate për media, gjatë ditës së sotme ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka njoftuar se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ekspertizë nga Zvicra në lidhje me rastin “Dehari”.

“Deklarimet e avokatit Tomë Gashi, të shfaqura në publik, në lidhje me pranimin e Raportit  përfundimtar të ekspertizës për rastin e Astrit Deharit, nga Ministria e Drejtësisë, janë pretendime të pavërteta, tendencioze dhe absolutisht jo profesionale”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit asnjë dokument me çfarëdo përmbajtje që lidhet me rastin Dehari nuk ka arritur në adresë të Ministrisë së Drejtësisë.Në lidhje me këtë edhe prokurori i shtetit përmes një njoftimi publik, dje kishte mohuar të ketë pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari nga Instituti i Lozanës në Zvicër.

Krahas kësaj, avokati Tomë Gashi thotë se kjo çështje është më shumë politike, pasi sipas tij, po pretendohet nga ana e Tahirit që të mos publikohet asgjë deri në largimin e tij nga dikasteri që e udhëheq.Në lidhje me këtë, KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, Astrit Dehari  vdiq më 5 nëntor  në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së tij më 18 nëntor 2016, doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit. Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit. /KosovaPress/

Top Channel