Sulmet ndaj kurdëve, Erdogan merr kritika nga ndërkombëtarët

15/10/2019 07:01

Të braktisur nga Amerika, kurdët e Sirisë arritën marrëveshje me Damaskun zyrtar për të bashkuar forcat kundër ofensivës turke. Mediat shteterore siriane thonë se forcat qeveritare jane dislokuar në veri të vendit.

Sipas marrëveshjes, ushtria siriane do të vendoset në të gjithë gjatësinë e kufirit në rajon, dhe do t`i vijë në ndihmë paraushtarakëve kurdë ne “zbrapsjen e agresionit dhe çlirimin e zonave ku kanë hyrë ushtarët dhe mercenraët tur”, thuhet në deklaratën e saj.

Lëvizja i hap gjithashtu rrugën çlirimit të qyteteve siriane të pushtuara nga trupat turke siç është rasti i Afrinit. Liga Arabe ndërkohë ka paralajmëruar mundësinë e ndërmarrjes së aksioneve diplomatike dhe ekonomike kundër Turqisë, ofensivën e se cilës edhe ajo e përkufizoi si “agresion të pastër”.

Kritika kanë mbërritur dhe nga Europa. Kancelarja gjermane Angela Merkel i kërkoi presidentit Rexhep Tajip Erdogan që ti japë fund sulmit menjëherë. Qeveria gjermane ka paralajmëruar se nuk do të lejojë më asnjë eksport armësh në Turqi.

Më herët, shumë vende europiane, ndër to edhe Holanda dhe Norvegjia, paralajmëruarn të njëjtën gjë. Presidenti amerikan Donald Trump ndërkohë i hodhi sërish benzinë zjarrit të polemikave, me mesazhin e fundit në twitter ku thotë se të burgosurit e Isis-it t`i marrë Europa.

“Ata nuk do të mbërrijnë dhe nuk do të pranohen kurrë në Shtetet e Bashkuara”, ishte komenti i tij, ndërkohë që mësohet se 800 mijë të afërm të luftëtarëve të shtetit të dhunshëm islamik janë larguar nga kampet e refugjatëve, duke bërë që të humbasin gjurmët e tyre.

Top Channel