Turistët nga SHBA kërkojnë kujdes të lirë shëndetësor jashtë vendit

14/10/2019 16:25

Kur Veronica Merrill vendosi t’i nënshtrohej një operacioni në stomak për humbje të peshës, u gjend përpara dy mundësive: të paguante 12,000 dollarë në vendin e saj, në SHBA, ose ta bënte në Meksikë për 4,000 dollarë.

Sigurimi i vet shëndetësor ia mbulonte shpenzimet vetëm nëse do të ishte shumë mbipeshë e të vuante nga diabeti dhe hipertensioni.

Por 50 vjeçarja nuk i plotësonte këto kushte. Ndaj bëri gati valixhen për tu nisur drejt Meksikës.

“Është e trishtueshme që m`u desh të vija në një vend tjetër për të krye këtë procedure. Normalisht, nuk kemi përse të detyrohemi ta bëjmë një gjë të tillë, është çmenduri. Dhe ne jemi të vetmit me këtë sistem”, ka thënë Veronica Merrill.

Pasi pa të gjithë mundësitë që kishte, Veronica kurseu para dhe kontaktoi me një agjenci të specializuar e cila mori përsipër të organizonte udhëtimin e saj drejt Tijuana-s, ku operacionet për humbjen në peshë dhe trajtimet dentare janë mjaft popullore.

Plot njerëz udhëtojnë drejt qytetit meksikan për të trajtuar sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, ato të fertilitetit apo edhe për të blerë ilaçe, që atje janë më lirë.

Sipas organizatës “Patients Beyond Borders”, çdo vit në mbarë botën kërkojnë trajtim rreth 20 milionë të ashtuquajtur “turistë mjekësorë”. Gati 1,9 milionë prej tyre, janë amerikanë.

Top Channel