Presidenti amerikan, Donald Trump tha se sekretari në detyrë i Sigurisë Kombëtare Kevin McAleenan, po largohet nga posti, ndërsa paralajmëroi se do të emërojë sekretarin e ri javën që vjen.
Presidenti tha se “Kevin McAleenan ka bërë një punë të jashtëzakonshme si ushtrues i detyrës së Sekretarit të Sigurisë Kombëtare’ dhe se ai dëshiron “të kalojë më shumë kohë me familjen e tij dhe të punojë në sektorin privat”.
Presidenti Trump tha se do të shpallë emrin e ushtruesit të ri të kësaj detyre javën që vjen dhe ka “shumë kandidatë të mrekullueshëm”.
Zoti McAleenan mori postin e sekretarit në detyrë në muajin prill pas dorëheqjes së ish sekretares Kirstjen Nielsen, duke u bërë personi i katërt që drejtoi departamentin në dy vjet.
McAleenan, një zyrtar karriere në fushën ë sundimit të ligjit, mbikëqyri goditjet e presidentit Trump mbi imigrantët pa dokumente gjatë gjashtë muajve të punës si sekretar në detyrë.
Gjatë mandatit të tij, McAleenan paraqiti disa nisma për të zvogëluar valën e emigrantëve në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Ato përfshinin lejimin e zyrtarëve amerikanë që të ndalonin familjet migruese me fëmijë për periudha më të gjata kohore dhe punën me vendet e Amerikës Qendrore për të krijuar marrëveshje sipas të cilave strehimkërkuesit do të aplikonin për strehim në Amerikën Qendrore në vend se në Shtetet e Bashkuara.
Ai është kritikuat nga disa prej mbështetësve të presidentit se nuk ishte mjaft i zëshëm në përkrahjen e politikave të imigracionit dhe retorikës së presidentit Trump.
Para se të shërbente si sekretar në detyrë i Sigurisë Kombëtare, McAleenan drejtonte doganat dhe sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara./ VOA
Top Channel