Prej disa ditësh, bregu i lumit Buna në pjesën e Malit të Zi, në afërsi të fshatit Reç është në prag të një katastrofe mjedisore pasi është mbushur me pula dhe kafshë të ngordhura.

Për të parë nga afër situatën e krijuar kanë dalë edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Drejtorisë së Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë në qeverinë e Malit të Zi.  Drejtoresha e Drejtorisë së sigurisë ushqimore dhe veterinarisë në Mal të Zi, Vesna Dakoviq shprehet se është e qartë se ky është një problem ndërkufitar për faktin se në pjesën e Malit të Zi në një territor të gjerë nuk ka ferma kafshësh e as pulari.

“Ka një javë që unë kam marrë njoftim nga qytetarë të përgjegjshëm, se ka pula të ngordhura të paketuara në qese plastmasi dhe notojnë nëpër lumin Buna. është rishfaqur edhe një herë ky shqetësim. Problemi është se ne pasi kemi patrulluar nëpër lumin Buna në pjesën e sipërme, ka një numër të madh të qeseve me pula të ngordhura, të cilat janë hedhur në rrjedhën e lumit, dhe janë ndalur në ato gjire ku uji nuk rrjedh”, shprehet Vesna Dakoviq, drejtore e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë në Malin e Zi.

Për policinë e Ulqinit, problemi qëndron tek mungesa e mjeteve të duhura për të pastruar lumin.

“Kemi njoftuar edhe ndërmarrjen Komunale pasi është përgjegjëse për pastrimin e territorit të Komunës Ulqin, por nuk kanë mjete dhe varka të përshtatshme për pastrimin e lumit. Edhe ndaj personave që posedojnë varka kemi bërë thirrje por kemi hasur në refuzimin e tyre”, deklaron Kapllan Muça, nga Policia Komunale, Ulqin.

Banoret e zonës thonë se është fat që kjo ndotje nuk ndodhi gjatë sezonit turistik pasi do të ishte shkatërruar turizmi.

“Kjo është një katastrofë ekologjike.Kjo është detyrë e gjithë ne që fillimisht të pastrojmë oborret tona e pastaj të mos hedhim mbeturinat në lum siç ka ndodhur”, shprehet një banore.

Aksioni i pastrimit të lumit Buna po kryhet nga Njësia e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, dhe zgjat disa ditë.  Disa muaj me parë mësohet se Qeveria e Malit të Zi për shkak të ndotjes së Lumit Buna i ka dërguar notë proteste qeverisë së Shqipërisë pas derdhjes së ujërave të zeza në lumë.

Top Channel