Një udhëheqës i Al Kaidës raportohet se është vrarë në Afganistan

09/10/2019 04:40

Zyrtarët afganë thanë se një udhëheqës rajonal i organizatës terroriste Al Kaida është vrarë në një operacion të përbashkët të ushtrisë amerikane dhe asaj afgane, muajin e kaluar, në jug të Afganistanit.

Asim Umar, i cili ka udhëhequr Al Kaidën në Nënkontinentin Indian (AQIS), është vrarë më 28 shtator në një kompleks të talibanëve në provincën Helmand, tha Drejtoria Kombëtare për Siguri e Afganistanit.

Sipas saj, Umar ka qenë shtetas i Pakistanit, edhe pse, sipas disa raporteve, ai ka lindur në Indi.

Drejtoria Kombëtare për Siguri tha se në këtë operacion janë vrarë edhe gjashtë anëtarë të tjerë të AQIS-it, shumica prej të cilëve shtetas pakistanezë.

Autoritetet thanë se do të analizojnë raportet se në operacion janë vrarë edhe 40 civilë – në mesin e tyre disa fëmijë.
Shtetet e Bashkuara dhe Al Kaida nuk e konfirmuan vdekjen e Umarit.

Umar ka udhëhequr AQIS-in që nga formimi i tij në shtator të vitit 2014./REL

Top Channel