Deri përpara disa ditësh, në veri të Kosovës shiheshin nëpër rrugë më së shumti posterat elektorale të listës serbe. Ne Leposavic, ato të partisë së Serbëve të Kosovës ishin të shqyera, e nuk gjeje asnjë  lloj materiali zgjedhor të Partisë së Pavarur Liberale dhe koalicionit “Liria”.

Vetëm Lista Serbe mbajti tubime elektorale në këtë pjesë të Kosovës. Deri më tani, forca politike e themeluar nga Beogradi e dhe e vetmja që gëzon mbështetjen e plotë të tij, ka qenë ajo që kërkonte përfaqësimin e interesave të komunitetit serb.

Por këtë radhë, në garën zgjedhore janë përfshirë katër subjekte politike nga  komuniteti serb:  koalicioni “Liria” me seli në Graçanicë, Partia e Pavarur Liberale, po ashtu me seli në Graçanicë, Partia e Serbëve të Kosovës, me seli në Leposavic, dhe vetë Lista Serbe, që zyrat i ka në Mitrovicën Veriore.

Kjo e fundit, në mandatin e kaluar të legjislativit kishte 9 nga 10 vendet e garantuara në parlament për deputetët e komunitetit serb. Me sloganin e saj të fushatës, ”Dhjetë nga të dhjetët” – Lista serbe tregon se këtë herë po përpiqet ti marrë të gjitha vendet, por kjo duket e pagjasë.

Përfaqësuesit e partive të tjera politike serbe i refuzuan thirrjet e saj për t’u bashkuar nën një ombrellë te vetme për garën elektorale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.  Kjo gjë e bëri nervoze partinë që ka përfaqësuar deri më tani serbët e Kosovës në institucionet e vendit. “E përkëdhelura“ e Beogradit i pa pozitat t`i lëkunden pasi thirrjet e saj për unitet ranë në vesh të shurdhër.

Subjektet e tjera politike serbe pretendojnë se kjo bëri që ndaj votuesve të tyre të ushtrohet presion, e në shumë raste ato kanë qenë përmes punësimit në shtet. Duke viktimizuar forcën politike të përkrahur prej tij, presidenti serb  Aleksandër Vuçiç pretendon se , kjo fushatë parazgjedhore ka qenë më brutalja, që përfaqësuesit e Prishtinës, të bashkësisë ndërkombëtare kanë kryer deri tani kundër Listës Serbe.

Nga ana tjetër, Nenad Radosavljeviç, kryetar i partisë së Drejtësisë Popullore dhe vetë dikur deputet i koalicionit Povratak (Kthimi) në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar për DW se presioni i Beogradit dhe i Listës Serbe është i tillë, saqë praktikisht të gjithë përfaqësuesit e tjerë serbë janë eliminuar nga lufta politike.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që të paktën një ministër në qeveri duhet të jetë nga komuniteti serb. Partitë e mëdha në vend, duke nisur me “Vetëvendosjen”, e Albin Kurtit, e kanë bërë të qartë disa herë se kërkojnë të gjejnë një mënyrë për të formuar një qeveri pa ministra nga Lista Serbe. Këtë radhë është gjithashtu rreptësisht e ndaluar të votosh me kartat e identitetit serb. Ai që nuk ka dokumente të Kosovës, nuk mund të votojë.

Top Channel