Bylisi merr pikë edhe në Laç, mbetet në vend të parë

06/10/2019 16:36

Bylisi heroik në transfertën e Laçit. Skuadra ballshiote, edhe pse luajti në minutat e fundit me një lojtar më pak, arriti t’u bënte ballë sulmeve të kurbinasve, duke e mbajtur të paprekur rrjetën, me sfidën që u mbyll në barazim 0-0.

Një pikë e merituar nga formacioni i drejtuar nga Dovedan, që jo rastësisht është në krye të Superiores me 12 pikë, aq sa ka grumbulluar Teuta dhe Skënderbeu.

Pas një pjesë të parë disi të vaktë e thuajse pa raste, ritmi ndryshoi në fraksionin e dytë, me vendësit të detyruar të merrnin më shumë iniciativë.

Në minutën e 52-të rezultoi vendimtare ndërhyrja e Ditmar Bicajt, pas tentativës së Xhixhës brenda zonës, ndërsa në minutën e 66-të Deliu pati një mundësi të artë për t’i dhënë epërsinë Laçit, por shënjestra rezultoi e gabuar.

Eglentin Gjoni u detyrua të largohej i dëmtuar në krah në minutën e 80-të, ndërsa pak minuta më vonë Ditmar Bicaj u ndëshkua më kartonin e dytë të verdhë, për mbajtje të Nwabwezes prej fanelle.

Në minutat shtesë rezultoi vendimtar me pritjet e tij Isli Hidi, me Bylisin që mori rezultatin e 6-të radhazi pozitiv në këtë fazë të parë, me humbjen e vetme të regjistruar në premierën me Teutën.

Top Channel