Pompeo në Ohër e Podgoricë/ Jep mbështetjen për integrimin e dy vendeve në NATO dhe BE

05/10/2019 01:06

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka përgëzuar Malin e Zi për performancën e tij në NATO, organizatë ku vendi u anëtarësua në 2017, si edhe ka shprehur mbështetjen për anëtarësimin e vendit në BE.

Ai u takua në Podgoricë me kryeministrin malazez Dushko Markoviç, presidentin Milo Gjukanoviç si edhe ministrin e jashtëm Srgjan Darmaniviç. Në një konferencë për shtyp, Pompeo nuk i kurseu lëvdatat për Malin e Zi.

“Vizita ime këtu sot, përbën të parën vizitë të një sekretari shteti që kur vendi juaj mori pavarësinë 13 vite më parë. Unë po e bëj këtë një okazion historik.

Dua të filloj me përgëzimet për anëtarësinë tuaj në aleancën e NATO-s, një nga aleancat më efektive dhe të rëndësishme të sigurisë. Faleminderit që përmbushët edhe angazhimin tuaj për 2 për qind të shpenzimeve për mbrojtjen”.

Pas vizitës së tij në Podgoricë, Pompeo udhëtoi drejt Maqedonisë së Veriut, vend ky që po ashtu synon të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s deri në fund të vitit.

Gjatë qëndrimit në Ohër, Pompeo tha se është i bindur që senati amerikan do të ratifikojë në vjeshtë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pompeo takoi në Maqedoni, presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev, me të cilët diskutoi zgjerimin dhe forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut e cila synon lidhje më të ngushta me perëndimin.

Top Channel