Genoa-Milan, sfida që mund të shkarkojë një trajner. Flet Giampaolo

04/10/2019 19:54

Marco Giampaolo do të luajë pankinën nesër në mbrëmje, në sfidën që Milani do të luajë në transfertë ndaj Genoas, një tjetër skuadër në krizë rezultatesh, që gjithashtu ka “drejtuar gishtin” nga trajneri i saj.

Gjatë konferencës për shtyp pasditen e sotme, tekniku i kuqezinjve u shpreh i qetë dhe tha se pret që skuadra e tij të reagojë, duke menduar si grup, ndërsa pranoi se sulmuesi polak Piatek do të vazhdojë të luajë titullar, pavarësisht vështirësive për të gjetur rrjetën këto javë.

Genoa të sjell kujtime pozitive, pasi e ke mundur shpesh kur drejtoje Sampdorian…
Është një histori tjetër dhe një realitet gjithashtu i ndryshëm. Kanë qenë derbi të fituara me Sampin dhe natyrisht kam pasur fat që ia kemi dalë.

Nga Torino te Fiorentina, pamë Milanin më të bukur dhe më të shëmtuar të sezonit. Jeni dakord me këtë?
Nuk është e thjeshtë të bësh një shpjegim për këtë në fakt, pasi kishin kaluar vetëm dy ditë nga ajo humbje, ndoshta e pamerituar ndaj Torinos. Kërkuam fitoren, pasi ishim të detyruar ta bëjmë ndaj Fiores, por ndoshta nuk rikuperuam si duhet dhe nuk patëm motivimin e duhur për t’ia dalë. Megjithatë mendoj se duhet të luajmë të ekuilibruar në tërësi, në të gjithë repartet, pasi vetëm kështu mund të ecim përpara.

Çfarë jave keni kaluar në Milano?
Ka qenë e vështirë të menaxhosh situatën nga ana morale, pasi vijmë nga një periudhë jo fort brilante, por kemi analizuar gabimet tona dhe kemi ndërtuar strategjinë për të dalë nga kjo situatë. Ajo që kemi thënë, do të mbetet mes nesh, por dua të shtoj se kam besim që nesër do të vijë kthesa.

Mendoni se Milani është mbivlerësuar?
Kur humb 4 ndeshje nga 6, normale është që gjithçka të duket e zezë. Megjithatë unë di të them që kjo skuadër ka shumë marzh të lartë përmirësimi dhe do të tentojmë ta bëjmë që nga ndeshja e radhës. Duhet ekuilibër edhe për të përballuar momente të tilla, por jam i sigurt që nuk mund të bëhen gjykime të sakta tani.

Romagnoli ka thënë “me Giampaolon deri në vdekje”. E ndjeni se të gjithë janë gati të “japin jetën” për ju?
Unë mendoj se futbollistët duhet të japin maksimumin për fanellën, pasi klubi beson te idetë e mia dhe këtë ma kanë theksuar edhe në përballjet individuale,. Kur merr rezultate negative, natyrisht që vë në rrezik planet, por besoj se futbollistët duan njësoj si unë, që të kalojë kjo situatë. Këto javë natyrisht që kemi gabuar diçka, por na ka munguar edhe fati, megjithatë nuk duhet të harrojmë që kemi shumë elementë të rinj, që kanë nevojë për kohë.

Piatek po vuan shumë dhe duket larg formës më të mirë. A rrezikon të mbetet jashtë?
Piatek është golshënuesi ynë dhe natyrisht që nuk mund ta lëmë jashtë, as kur kalon një moment të vështirë se ky. Nëse nuk shënon ai, atëherë kush do ta çojë topin në rrjetë? Giampaolo? Ai thjesht duhet të marrë përgjegjësitë e tij dhe të luajë më i qetë e i përqendruar, por natyrisht që Milani nuk mund të privohet nga një emër i tillë në sulm.

Top Channel