Inter bën gjithçka mirë në pjesën e parë në “Camp Nou”, i ndihmuar edhe nga një gol i shpejtë i Lautaro Martinez, por në fund është Barcelona ajo që feston fitoren dhe 3 pikët, falë një përmbysjeje mjaft të vuajtur, me protagonist uruguaianin Luis Suarez.
Zikaltrit e Contes e nisën mjaft mirë takimin dhe morën avantazhin që në minutën e tretë, me Lautaro Martinez, që shfrytëzoi një zbritje të shpejtë, duke mposhtur si Pique, ashtu edhe portierin Ter Stegen.
Barcelona tentoi të reagojë, por të besuarit e Contes ishin vendosur në mënyrë perfekte në fushë dhe jo vetëm që mbajtën larg portës së Handanoviç rrezikun, por i shkuan pranë golit të dytë, ku fillimisht Ter Stegen bëri mrekullinë ndaj Lautaros dhe më pas Semedo devijoi goditjen e Barella.
Mjaft aktiv edhe Alexis Sanchez në pjesën e parë, që edhe ai “flirtoi” me golin, por goditja me kokë nga vetëm 5 metra larg portës, përfundoi pak jashtë shtyllës pingule, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte 0-1.
Në pjesën e dytë Valverde hodhi në fushë Arturo Vidal për Busquets dhe Barcelona filloi të afrohet më rrezikshëm, teksa në minutën e 58’ erdhi edhe goli i barazimit, me një gjuajtje perfekte të Luis Suarez nga distanca, që la të shtangur portierin Handanovic.
Në minutën e 84-t ishte sërish Barcelona, që shpërtheu në krah me Messin, që kaloi lehtësisht Asamoah dhe më pas shërbeu për Suarez, që kapi në kundërkohë Godin dhe i vetëm me Handanovic shënoi edhe golin e dytë.
Me këtë fitore, Barcelona ngitet në krye të grupit me 4 pikë, po aq sa ka edhe Borussia e Dortmundit, ndërsa Interi e Slavia Prague mbeten me vetëm një pikë pas dy ndeshjesh.
Një ndeshje “e çmendur”: është zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Anfield Road”, ku Liverpooli kampion Europe fitoi jo pa vështirësi 4-3 ndaj austriakëve të Salzburgut, në një sfidë që dukej se u mbyll shumë shpejt, por nuk rezultoi aspak ashtu.
“The reds” shënuan 3 gola për 36 minuta, me Mane, Robertson dhe Salah, duke dhënë sinjalin se fitorja ishte vetëm një formalitet, por austriakët u rikthyen në lojë dhe pasi shënuan një gol në pjesën e parë, gjetën rrjetën edhe dy herë të tjera në 15 minutat e para të pjesës së dytë, duke çuar rezultatin në 3-3.
Megjithatë 20 minuta nga fundi i lojës ishte sërish egjiptiani Salah që shënoi golin e katërt dhe të fitores për Liverpoolin, duke u dhënë anglezëve 3 pikët e para në këtë fazë të Championsit, pas humbjes 2-0 në Napoli.
Gjeti fitoren e parë edhe Chelsea, që triumfoi 1-2 ndaj Lille në Francë, falë golave të shënuar nga Tammy Abraham dhe Willian, ndërsa Valencia humbi me rezultatin e thellë 0-3 në “Mestalla” përballë holandezëve të Ajax.
Lyoni shtangu gjermanët e Leipzig në “Red Bull Arena”, ku fitoi me rezultatin 0-2 falë golave të Depay dhe Terrier, duke u ngjitur në krye të grupit me 4 pikë, aq sa ka edhe Zeniti që sonte mposhti Benficën me rezultatin 3-1.
Top Channel