Dhuna në derbi/ Tirana dënohet me 4 ndeshje pa tifozë, ndalohen përjetë të proceduarit

02/10/2019 11:08

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka marrë vendimin për të dënuar me katër ndeshje pa tifozë klubin e Tiranës, pas incidenteve që ndodhën në derbin e së dielës kundër Partizanit.

“Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, urdhërohet pezullimi i zbatimit të dënimit për ½ e dënimit me kusht për një periudhë 6 mujore”, thuhet në vendim.

Gazetari i Top Channel, Endi Tufa raporton se klubi do të detyrohet të mbyllë për të gjithë sezonin sektorin G3 në “Selman Stërmasi”, ku qëndron grupi Capital Crew. Bëhet fjalë për grupin që ngriti banerin me dy persona që mbanin në shpinë yllin e kuq dhe ishin të varur në litar.

Gjithashtu, personat e proceduar për dhunën do t’u ndalohet përjetë hyrja në stadium.

Klubit të Tiranës i është kërkuar të bashkëpunojë për të identifikuar tifozët e tjerë që kanë shkaktuar probleme gjatë ndeshjes. Në të njëjtën kohë, FSHF ka bërë kallëzim administrativ në Policinë e Tiranës për personat që hynë në fushë dhe shkaktuan incidentet.

Sa i përket Partizanit, klubi i kuq është dënuar me dy ndeshje pa tifozë.

Top Channel