FBI/ Bie krimi i dhunshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

01/10/2019 03:03

Krimi i dhunshëm në SHBA ra për të dytin vit radhazi gjatë 2018s, kryesisht si vazhdim i një rënieje prej disa dekadash, njoftoi FBI-ja në raportin e saj vjetor për krimet të publikuar të hënën.

Vlerësohet se në 2018-n pati 369 krime të dhunshme për 100 mijë banorë, një rënie prej 3.9 përqind nga viti 2017. Edhe në vitin 2017 krimi i dhunshëm ra, ndonëse në një shkallë më të ulët.

Rëniet e këtyre dy viteve vijnë pas një rritjeje prej 8% në 2015 dhe 2016. Ato e sjellin krimin e dhunshëm në një nivel afro 15 përqind më të ulët se një dekadë më parë dhe mëse 50 përqind nën nivelin e fillimit të viteve 1990 kur vendi u përfshi nga një valë krimi.

Raporti vjen vetëm disa javë pasi sektori i statistikave të Departamentit të Drejtësisë publikoi një studim që tregon një rritje prej 22 përqind të numrit të viktimave të krimit të dhunshëm në Shtetet e Bashkuara gjatë tre viteve të fundit.

Studimi vjetor i bërë mbi bazë familjesh, përfshin si krimet e raportuara ashtuj edhe ato të paraportuara në polici, ndërsa statistikat e FBI-së bazohen te raportimet vullnetare të mijëra departamenteve të policisë në gjithë vendin.

Rritja dhe më pas rënia e krimit të dhunshëm këto vitet e fundit ka nxitur një debat midis politikëbërësve dhe kriminologëve rreth shkaqeve të tyre themelore dhe nëse ato sinjalizojnë një prirje të re.

Top Channel