Rreth librit “Zhurma e kohës”, botimet Shtëpia e Librit
Alda Bardhyli
“Gjithçka filloi ekzaktësisht”, i tha ai mendjes së vet, “mëngjesin e 28 janarit 1936 në stacionin hekurudhor të Arkhangelsit”. “Jo”, iu përgjigj mëndja, “asgjë nuk fillon kështu, në një datë dhe një vend të caktuar. Gjithçka fillon në shumë vende, në shumë kohë dhe disa fillojnë që para se ti të lindësh, në vende të huaja dhe në mëndje të të tjerëve”.
Julian Barnes, fitues i Man Booker Prize në vitin 2011, shkruan kështu në librin “Zhurma e kohës”, një prej romaneve biografikë më të komentuar të viteve të fundit, kushtuar kompozitorit të njohur rus Dmitri Dmitriyevich Shostakovich. Një libër që përshkrohet nga zhurmat e së shkuarës, kërkon të tregojë jetën e pazakonshme të një prej personazheve më të rëndësishëm të shekullit XX. I shqipëruar nga Gjergj Erebara, libri është botuar nga Shtëpi e Librit, dhe vjen në vazhdën e diskutimeve që gjithnjë e më tepër po dominojnë debatet mbi të shkuarën, atë të raportit mes artit dhe pushtetit. Rasti Shostakovich dhe raporti i tij me Stalinin, është ndoshta mënyra më e mirë për të parë raportet e regjimeve totalitare me kulturën, por dhe për të kuptuar format e ngjashme të presionit që regjimi i Enver Hoxhës pati me kulturën në vend.
Ashtu si në Shqipërinë komuniste, e në Rusi do të kishte dy lloje artistësh. Ata që ishin gjallë dhe të frikësuar dhe ata që ishin të vdekur. “Edhe nëse ata më presin të dyja duart, unë do të vijoj të shkruaj muzikë, me një penë në gojë”, do të shprehej kompozitori kur dëgjonte kërcënimet kundër tij. Jo pak herë Shostakovich do të ishte nën presionin e frikës së arrestit. Burrat që dilnin nga shtëpia me valixhe me rroba gati shpesh ktheheshin sërish, ndërsa ata që merreshin me forcë nga shtrati nuk ktheheshin.
Nën tingujt e Kuartetit të tetë, Julian Barnes përpiqet të ndërtojë jetën e Shostakovuichit, duke ndjekur atë pjesë të muzikës që i ngjason zërit të tij. Është një lidhje gjithnjë e fortë mes shkrimtarit dhe ngjarjes që ai ka zgjedhur të trajtojë, e teksa lexon librin duket sikur Shostakovich është ulur përball Barnes ,për ti treguar atij gjithë dilemat e një artisti. Ai shpesh reflekton për çështjen e ndershmërisë. Ndershmërisë personale dhe asaj artistike. Ai u kishte thënë miqve se nëse ai e mohonte Lady Makbethin e Tsenskit ata duhet të kuptonin se atij i kishte mbaruar ndershmëria.
“Ai e kishte menduar veten si dikush që ka emocione të forta, por që është i paaftë për ti treguar ato. Por kjo ishte të lehtësonte veten kollaj dhe sërish nuk po tregohej i ndershëm”, thotë Barnes. Pyetja mbi ndershmërinë është pyetja që orvatet më shpesh tek një artist. Më pas është pyetja mbi dashurinë. Në rastin e kësaj të fundit, Shostakovich e kishte vënë teorinë e dashurisë së lirë në praktikë, fillimisht me Tanjën e më pas me Nitën. Për më tepër shpesh të dyja ishin mbivendosur në zemrën e tij dhe shpesh teoria e dashurisë nuk përputhej me realitetin e jetës. “Ishte njësoj sikur ta mendoje veten të aftë për të shkruar një simfoni, sepse dikur ti ke lexuar një libërth për kompozimin” .
Përgjatë të gjithë jetës së tij Shostakovich ishte mbështetur tek ironia. Ti shkruan një letër që dikush është “një njeri i mrekullueshëm” dhe marrësi i letrës kupton ekzaktësisht të kundërtën. Ironia të lejon ty të papagallosh zhargonin e Pushtetit të lexosh fjalime të pakuptimta të shkruara nën emrin tënd, shprehësh dëshpërim serioz për mungesën e portretit të Stalinit në studion tënde, ndërkohë që pas një dere gjysmë të hapur gruaja jote po e mban veten kundër të qeshurës së ndaluar.
Rrëfimi i Barnes shpesh është tronditës. Njohës i mirë i historisë, Erebara ka mundur të zotërojë një tjetër pushtet, atë që kanë gjuhët ndaj njëra tjetrës, duke e bërë me shqipen e tij një gjuhë ku Barnes qëndron pa mungesa. Udhëtimi në muzikën e Shostakovich është një udhëtim në terrin komunist, për të parë jetët e shumëfishta të një njeriu brenda një artisti që i dha aq shumë epokës ku jetoi. Vitin kur ai u anëtarësua në parti, shkroi Kuartetin e Tetë. Ai u tha shokëve se në mendjen e tij kjo punë i dedikohej “kujtimit të kompozitorit”. Gjë që do të shikohej qartazi nga autoritetet muzikore si egoiste e papranueshme dhe pesimiste. Dhe kështu dedikimi mbi partiturën e publikuar eventualisht shkroi :”Për viktimat e fashizmit dhe luftës”.
Ky libër duket si një reflektim për të kuptuar jetët e shkrimtarëve dhe artistëve nën Shqipërinë komuniste, për të lexuar mes rreshtash artin tjetër që ata krijuan, shpesh si Shostakovich. Kjo pasi jetët e artistët janë të ngjashëm, vetëm koha ndryshon.
Një pjesë interesante në libër është dhe udhëtimin drejt Nju Jorkut, shpresa për të takuar Stravinskin. Ai e kishte adhuruar gjithmonë muzikën e tij. Frika ndaj fluturimit për Barnes është thjesht reflektim i presionit të vazhdueshëm në jetën e tij.
Lenini mendonte se muzika ishte depresionuese. Stalini mendonte se ai e kuptonte dhe e vlerësonte muzikën. Hrushovi e urrente muzikën. Kush ishte më i keqi për një kompozitor?
Shostakovich i orvaste shpesh në mëndje këto pyetje. Dikur kur ishte ende fëmijë bashkë me një grup shokësh klase nxituan ti dilnin përpara për ta përshëndetur Leninin në Stacionin e Finlandës. Atëherë ai ishte në sytë e tij prej fëmije një hero.
Kur ishte kthyer nga Nju Jorku ai kishte kompozuar Këngën e Pyllit. Në qendër të saj ishte forca e Stalinit. Për këtë këngë ai fitoi çmimin “Stalin”. Në total ai e pati fituar çmimin “Stalin” gjashtë herë…
Në një kohë debatesh mbi lidhjet e artit me pushtetin, libri kushtuar Shostakovichit është një ftesë për reflektim. Vetë kompozitori e dinte se vetëm vdekja do ta çlironte
muzikën e tij, e do ta çlironte atë nga jeta. “Koha do të kalonte dhe megjithëse muzikologët mund të vijonin debatet puna e tij do të fillonte të qëndronte më vete. Historia, po ashtu si dhe biografia, do të zbehej; ndoshta një ditë fashizmi dhe komunizmi do të jenë vetëm fjalë në librat shkollorë. Dhe ajo që do të vijonte të kishte vlerë nëse do të kishte ende veshë për të dëgjuar, muzika e tij… do të ishte vetëm muzikë”, shkruan Barnes. E kjo, ishte gjithçka që një kompozitor mund të shpresonte. “Kujt i përket muzika, pyeti ai dikur studenten që po dridhej dhe megjithëse përgjigjja ishte e shkruar me gërma të mëdha në banderolën mbi kokën e hetuesit të saj, vajza nuk mundi të mos përgjigjej. Të mos ishe në gjendje të përgjigjeshe, ishte në fakt përgjigjja korrekte. Sepse, në fund fare, muzika i përkiste muzikës…
Top Channel