Policia ka zbardhur vrasjen e Santiago Malkos ndërkohë që ka shpallur në kërkim 8 persona.

8 personat emrat e të cilëve i zbardh gazetarja e Top Channel Anila Hoxha janë: Leonard Duka;  Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga,  Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

Ndërkohë mësohet se  dosja ka  kaluar për kompetencë tek krimet e rënda, pasi dyshohet që janë kryer vepra në kuadër të grupit kriminal.

26 vjeçari është një emër i njohur. Ai në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit. Po në vitin 2016 rezulton se Santiago Malko ka pasur një përplasje me vëllezërit Edmond dhe Gentian Llashi.

Mësohet se përplasja mes tyre është bërë në lokalin e dy vëllezërve. Burime për Top Channel bëjnë e dije që Santiago Malko ka pasur lidhje shoqërore me Ervis Martinaj.

Malko u ekzekutua më 27 gusht në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së Malkos u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Ndërkohë grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjete e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre.

  Kërcënohet dëshmitari i vrasjes/ Dosja e Santjago Malko, avokati kërkon mbrojtje për Blendi Teta

Tiranë/Njoftimi

Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vrasjes së 26-vjeçarit S. M.

Shpallen në kërkim 8 persona.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .

Në vijim të punës për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit S. M., Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive hetimore, arritën të dokumentojnë autorësinë e ngjarjes së ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku u vra me armë zjarri shtetasi S. M.

Dokumentimi i autorësisë së kësaj ngjarje të rëndë kriminale është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor dhe më datë 27 shtator 2019 , Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj shtetasve:

L. D., E. D., I. S., O. L., D. A., A. M., Xh. N., (të shtatë banues në Tiranë) dhe F. H., (M.,) banues në Vlorë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vlerësuar dhe suportuar punën hetimore dhe procedurale të Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ti klasifikuar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Më herët po për këtë ngjarje është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shtetasi B. T., banues në Tiranë .

Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .

Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të, si dhe lokalizimin e kapjen e personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim.

Top Channel