Fati i tenderit të shumëpërfolur për lotin e 7 të rrugës Kardhiq-Delvin mbështillet me mister.

Në 30 gusht, ministria e infrastrukturës udhëzoi autoritetin rrugor shqiptar ta anulojë të dy tenderat, si ndërtimin ashtu dhe supervizimin e rrugës me argumentin se paratë do të përdoreshin në projekte të tjera me emergjente.

Por edhe pse ka kaluar gati një muaj tenderat nuk janë anuluar. Në agjencinë e prokurimeve, të dy procedurat rezultojnë zyrtarisht në proces. Nga ana tjetër kompanitë pjesëmarrëse vazhdojnë betejat në komisionin e prokurimit publik, ku vetëm javën e fundit janë paraqitur dy ankesa të reja.

Tenderi për lotin 7 të aksit Kardhiq-Delvin u zhvillua në 27 qershor dhe në të morën pjesë 6 kompani. ARRSH shpalli fituese ofertën më të shtrenjtë atë të kompanive “Ircop” dhe “Sulova” me 18.9 milionë euro.

Por ky vendim u rrëzua si i paligjshëm nga komisioni i prokurimit, i cili urdhëroi autoritetin të shpallë fituese ofertën më të lirë, atë të kompanive “Cobial” dhe “Gjoka” me 4.3 milionë euro më pak.

ARRSH refuzoi të zbatojë vendimin e komisionit duke akuzuar kompaninë Gjoka për mashtrim, ndërsa kjo e fundit kallëzoi penalisht ish drejtoreshën, Sonila Qato për shpërdorim detyre.

Pasi skandali shpërtheu në publik ministria e infrastrukturës udhëzoi anulimin e tenderit, ndërsa Sonila Qato u largua nga posti i kreut të ARRSH-së duke u zëvendësuar me Vasilika Vjeron.

Megjithatë edhe pas rrotacionit, fati i tenderit mbështillet me mister. Burime konfidenciale thonë se udhëzimi i ministrisë për anulimin e tenderave është në tejkalim të komptencave.

Për këtë çështje ka patur një komunikim tre palësh mes ministrisë, autoritetit rrugor dhe agjencisë së prokurimeve. Por baza ligjore për anulimin e tenderave mbetet e paqartë, çka ka krijuar një kaos të vërtetë institucional, pasojat e të cilit janë zvarritja pa fund e ndërtimit të rrugës, e cila shkurton me 3 orë distancën nga Tirana në Sarandë.

Top Channel