Ashpërsohen dënimet penale për shkeljen e të drejtave të autorit. Ndryshimet në Kodin Penal të publikuara tashmë në Fletoren Zyrtare hyjnë në fuqi në fillim të tetorit.

Shkelja e të drejtave të autorit, riprodhimi tërësisht ose pjesërisht, shpërndarja, komunikimi në publik, shitja, ofrimi për shitje, përdorimi, furnizimi, eksportimi ose importimi për qëllime fitimi i veprës së mbrojtur nga e drejta e autorit, pa pëlqimin e autorit ose mbajtësit të së drejtës, kur janë shkelur të drejtat vetjake ose pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Ndërkohë me ndryshimet e reja parashikohet shtimi i dënimit deri në 3 vjet burg, kur kjo vepër, kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë. Këtu është marrë parasysh pirateria televizive.

Ndryshime në Kodin Penal për mbrojtjen e të drejtës së autorit vjen si pasojë e debatit të gjerë publik për kopjimet apo përdorimeve të padrejta të veprave të të tjerëve.

Ligji është njëra anë e medaljes. Nga ana tjetër fatkeqësisht në Shqipëri të drejtat e autorit shkelen masivisht. Sektori i teatrit është nga më të ekspozuarit, thotë regjisori, Kastriot Cipi.

E drejta e autorit aplikohet te të gjitha veprat origjinale letrare, shkencore dhe artistike. Këto përfshijnë librat, muzikën, skulpturat, pikturat, fotografitë, filmat, programet radio-televizive, programet kompjuterike.

Top Channel