Fortuna e vettingut po vazhdon. Deri më tani shkalla e parë, pra komisioni i pavarur i kualifikimit ka shkarkuar 70 prokurorë dhe gjyqtarë, ndërsa procesi ka vijuar më tej edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelit, ku nuk janë konfirmuar më tej edhe shtatë të tjerë, duke e çuar numrin e të shkarkuarve në 77.

Ndërsa numri i të konfirmuarve është 76. Këtë të premte ishte radha e gjyqtares së apelit, për Krimet e Rënda, Dhurata Haveri, e cila nuk u konfirmua në detyrë.

Por deri më tani nga shkalla e apelit për Krimet e Rënda janë shkarkuar katër gjyqtarë, ndërsa vijojnë në detyrë gjashtë të tjerë, prej të cilëve është në pritje të vetingut gjyqtarja Nure Dreni.

Tabela 1.

Shkarkuar në Apel:

1. Idriz Mulkurti

2. Fehmi Petku

3. Dhurata Haveri

4. Gjovalin Pernocaj

5. Gurali Brahimllari

Por së shpejti Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda që do të konvertohet në shkallën e dytë të Gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të përballet me numër të ulët të trupave gjyqësore përderisa ligji kërkon 11 gjyqtare në Gjykatën e Posaçme.

Ky shqetësim u ngrit gjatë javës se kaluar nga zv. kryetari i KLGJ, Maksim Qoku.

Në datën 18 shtator gjatë një tryeze, Qoku tha se prioritet i KLGJ mbetet edhe plotësimi i GJKKO e apelit me numrin e duhur.

Njëkohësisht Këshilli i Lartë i prokurorisë gjendet në dilemë se sa do të jetë numri i prokurorëve për të bërë funksional SPAK-un, ndonëse këshilli ka shpallur si fitues 15 prokurorë.

Tabela 2

Kandidatë të SPAK në pritje:

1. Anton Martini

2. Elizabeta Ymeraj

3. Doloreza Musabelliu

4. Ndini Tavani

5. Anita Jella

Kreu i Këshillit të Lartë, Gent Ibrahimi gjatë një interviste për TCH shpjegoi se pesë kandidatët që po presin vettingun , në rast se konfirmohen me vendim të formës së prerë atë në çdo kohë mund ti bashkohen SPAK.

Por ndërkohë Top Channel pyeti komisionin e pavarur të kualifikimit se përse nuk kanë dalë ende në vetting pesë prokurorët që janë listuar drejt SPAK.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, dëshiron t’iu falënderojë për hapësirën që Top Channel i dedikon procesit të rivlerësimit.

Në lidhje me pyetjen tuaj, fillimisht dëshirojmë t’iu sqarojmë se Komisioni e ka të qartë rëndësinë e ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe po punon me prioritet për të përmbyllur procesin e rivlerësimit për ato subjekte që kanë mbetur nga lista emërore e kandidatëve. Kandidatët për të cilët ju jeni të interesuar aktualisht janë në fazën e hetimit administrativ.

Trupat gjykuese dhe stafi ndihmës janë të angazhuar për të përfunduar cilësisht kontrollin e këtyre subjekteve,por ecuria e punës varet nga kompleksiteti i dosjes hetimore dhe kjo kërkon kohën e saj për nxjerrjen e rezultateve.

Sapo të përfundojë hetimi administrativ për secilin nga këto subjekte, Komisioni menjëherë dhe pa asnjë vonesë do të ftojë këto subjekte në seancë publike për t’u dëgjuar.

Datat e seancave do të shpallen si gjithmonë në kalendarin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në fakt vettingu solli probleme dhe për vetë Këshillin e Lartë të Prokurorisë që humbi dy anëtarë ( Antoneta Sevdarin dhe Gentian Osmanin).

Shkarkimi i tyre solli thirrjen e Asamblesë ( Sevdari u zëvendësua me Vat Stagën), ndërsa për zëvendësimin e Osmanit, asambleja e prokurorëve është thirrur për tu mbajtur në datën 4 tetor prej nga ku do të votohet anëtari më i ri.

Tabela 3

Kandidatë të SPAK apeluar

1. Besnik Muci

2. Manjola Kajana

Top Channel