Duke nisur nga sot e deri të shtunën më 21 shtator, maturantët po aplikojnë me formularin A3. Portali UAlbania do të jetë i hapur për 24 orë.
“Çdo vit ka patur më shumë kuota sesa aplikantë. Janë rreth 18 mijë kuota të lira për këtë fazë, të ndara 50 me 50%, publik-privat. Çdo maturant do aplikojë për degë që rezultatet ja lejojnë. Janë ende 545 programe studimi që kanë kuota të lira në rang kombetar”, tha Arjan Xhelaj.
Portali do të mbyllet të shtunën në mesnatë. Maturantët do të hedhin deri në dhjetë preferenca si në raundin e parë. Për një nga degët e studimit që janë ende në dispozicion. Duhet patur parasysh që rreth 15 degë studimi janë plotësuar.
“Universiteti i Mjekësisë ka degë si Mjekësia e Përgjithshme dhe Mami që nuk kanë më kuota. Në Fakultetin e Arkitekturës, dege si Arkitektura, Dizajni, Urbanistika, nuk kanë më kuota të lira”, shprehet ai.
Edhe Universiteti i Sporteve nuk ka më kuota të lira. Ndërsa Ekonomiku numëron rreth 20 dhe Juridiku 25 kuota të lira.
“Në Shkodër Infiermieria është ezauruar plotësisht, 100%. Në Tiranë, Infermieria ka vetëm 2 kuota të lira.’, thotë ai më tej.
Mbi 10 mijë aplikantë pritet të aplikojnë në këtë fazë, përfshirë edhe ata që mbyllin provimet e vjeshtës. Në raundin e parë u regjistruar gjithsej 15 mijë maturantë në gjithë vendin.
Pasi aplikojnë me formularin A3 dhe pas përpunimit të të gjitha të dhënave e publikimit nga Rrjeti Akademik Shqiptar, maturantët do të regjistrohen.
“Regjistrimi i fituesve do të nisë në 30 shtator dhe do të kryhet me 5 faza 48 orëshe”, tha Xhelaj.
Juli Ristani
Top Channel