Drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
“Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.
Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar”, shkruan ajo.
Reagimi
Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.
Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).
Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.
Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar.
Jam e gatshme që të gjithë eksperiencën, dijen dhe integritetin tim ta vë në dispozicion të çdo detyre tjetër që mund të më kërkohet, por siç u mundova ta shpjegoj, e kam të pamundur të vazhdoj detyrën aktuale.
Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe vazhdim të mbarë të një pune që kemi nisur mirë së bashku!
Top Channel