I ftuar ditën e sotme në “Top Talk” ishte anëtari i Komisionit të Ligjeve dhe atij Hetimor, Adnor Shameti, i cili foli rreth situatës politike në vend duke u ndalur veçanërisht te nisma më e fundit e presidentit Meta.
I pyetur mbi atë çka artikuloi presidenti i Republikës, Ilir Meta për 22 nëntorin, ku sipas këtij të fundit do të ketë një ftesë publike për organizimin e një referendumi për mbrojtjen e kushtetutës, deputeti i PS-së u shpreh:
“Në bindjen time, qëndrimin e presidentit të Republikës në këtë anonçim që ka bërë, e shoh në vazhdën e antikushtetueshmërisë së veprimeve të tij, që nga dekreti për zhdekretimin apo anulimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor. E shoh përherë e më shumë si një ikje nga detyrimi kushtetues që në bazë të nenit 86 paragrafi i parë i kushtetutës ka si smbol i unitetit kombëtar dhe i sovranitetit të popullit.”
Është normale, brenda kuadrit ligjor që presidenti të organizojë një referendum?
“Në mënyrë kategorike jo. Referendumi në vetvete nuk është gjë tjetër veçse mënyrë e ushtrimit të sovranitetit të popullit direkt, sepse në periudhën mes dy palë zgjedhjeve politike, sovraniteyi i delegohet kuvendit që është përfaqësuesi i popullit, ndërkohë që për çështje të veçanta, populli, në një numër të caktuar njerëzish , jo më pak se 50 mijë vetë mund të ushtrojë të drejtën e tij për referendum”, tha Shameti.
Po nëse firmat mblidhen, njerëzit firmosin referendumin që është iniciuar nga vetë presidenti, a është kjo diçka legjitime?
“Nuk mund të ndodhë diçka e tillë. Nëse do të ndodhte do të cënohej parimi i shtetit të së drejtës dhe i ndarjes së pushteteve,. Në një republikë parlamentare baza e organizimit është kryerja e detyrave funksionale nga secili prej pushteteve në republikën e Shqipërisë. Sovraniteti i popullit përmes një referendumi ushtrohet për të shfuqizuar pjesë të caktuara të një ligji ose një ligj të caktuar, sikurse edhe për çështje të veçanta, por për çështje kushtetuese nuk mund të ushtrohet sovraniteti i popullit”, sqaroi ndër të tjera Shameti.
Top Channel