Policia italiane ka zhvilluar aksionin e koduar “Baneri i fundit” dhe ka arritur të vërë në pranga 12 kapo-ultrasë të Juventusit, si dhe disa anëtarë të tjerë të këtyre grupimeve të tifozëve.

Ata akuzohen për krijim të organizatave kriminale, grabitje me dhunë, pastrim parash, etj., ndërsa prokurorja që udhëhoqi hetimet, Patrizia Caputo deklaroi se organizimi i tyre ishte i ngjashëm me një organizim ushtarak.

“Drughi ishte një organizatë tipike ushtarake. Njerëzit, madje edhe më të besuarit, largoheshin edhe me dhunë po të ishte nevoja, nëse nuk u bindeshin urdhrave të kapos, Dino Mocciola. Këta njerëz, e kishin bërë dhunën një mënyrë jetese, ndërsa tifozllëku ishte thjesht një pretekst. As prania e fëmijëve nuk kishte kontribuuar për të ndalur dhunën”, tha prokurorja Caputo.

“Ka pasur njerëz që janë larguar me dhunë nga vendi ku kishin paguar biletën, pasi kanë shqetësuar grupin dhe denoncimet e tyre na ndihmuan. Nuk kanë munguar as rastet kur kanë grabitur me dhunë menaxherin e barit të stadiumit. Këta njerëz janë arrestuar për krime të kryera brenda stadiumit dhe kjo është e veçanta e këtij hetimi”, u shpreh magjistratja Chiara Maina.

Prokuroria italiane u vu në lëvizje pas denoncimeve të njerëzve, por edhe të vetë klubit bardhezi, që kishte vënë re abuzimin e disa grupeve ultrasë në shkallët e stadiumit dhe dy vite më parë u kishte hequr disa prej privilegjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA