Një grup të rinjsh shqiptarë dhe serbë, po inkurajojnë popullsinë lokale në Kurvelesh të Tepelenës për ta kthyer plastikën që po ndot masivisht një prej zonave më të bukura të vendit në një biznes me përfitim.
Arnen Sula thotë se është një projekt që po i inspiron të rinjtë, por ende është e vështirë të përqafohet si ide biznesi nga banorët.
Për grupin serb të të rinjve iniciativa nuk ishte thjesh mjedisore, por edhe një mundësi për të njohur një vend fqinj me marrëdhënie vazhdimisht të ngrira.
“Është një projekt shumë interesant jo vetëm se kontribuojmë në diçka shumë të vlefshme por ne po njohim këtu njerëzit e vërtetë që na kanë mirëpritur pavarësisht nga vinim. Ata nuk shohin lidhje mes nesh dhe politikës dhe kjo na ka bërë të ndihemi më të mikpritur nga sa ju do të ndiheshit në një vend tjetër”, thotë një vajzë.
” Është detyrimi ynë ta promovojmë këtë zonë të rrallë dhe Shqipërinë. Ne duhet t’ju flasim njerëzve tanë sesi u pritëm këtu dhe sesa e bukur është Shqipëria. Serbët bëjnë turizëm në Europën Qëndrore dhe në Perëndim ngaqë ende nuk e kanë zbuluar gjithë këtë potencial. Po të mos ishte për këtë projekt ndoshta edhe ne nuk do të kishim ardhur kurrë”, thotë një tjetër.
“Plastika e çmuar” është një program që ka filluar të përhapet me ritme të shpejta në shumë vende të botës për shkak të lehtësisë në përdorim dhe të përfitimeve që sjell. Bashkia e Tepelenës pritet të nënshkruajë një marrveshje bashkëpunimi me programin ku do të angazhohet të grumbullojë plastikën nga zonat piktoreske të disa fshatrave në Nivicë, Gusmar, Lekdush, Rexhinë dhe nga thellësia e kanioneve.
Kanionet e Nivicës dhe mundësitë e shumta të turizmit të aventurës e kanë kthyer zonën malore të bashkisë së Tepelenës në një prej destinacioneve të turizmit të veçantë.
Top Channel