Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe lidhur me udhëzimin administrativ të nxjerr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes të cilit u ndalohet qytetarëve të votojnë me dokumente të tjera përveç atyre të Kosovës.
Në vendimin e siguruar nga Top Channel, PZAP ka sqaruar se çdo person ka të drejtë vote me kusht që emri i tij apo i saj të paraqitet në Regjistrin Qendror Civil ose është regjistruar si qytetar i Kosovës dhe ku dokumentet e pranueshme për votim janë: letërnjoftimi, pasaporta e vlefshme, dokumenti i vlefshëm i udhëtimit, leja e vozitjes dhe kartela e refugjatit, por të gjitha të lëshuara nga institucionet e vendit.
Në këtë mënyrë vendimi i hap rrugë udhëzimit, i cili ndalon praktikat e kaluara kur janë përdorur dokumentet identifikuese të Serbisë për të votuar. Në mungesë të këtij udhëzimi është lejuar votimi me kusht.
Në zgjedhjet qendrore të vitit 2017, 1200 vota me kusht ishin shpallur të pavlefshme nga KQZ, për shkak të votimit me dokumente serbe, kurse i njëjti vendim ishte aprovuar nga PZAP.
Si rrjedhojë, Lista Serbe kishte dërguar lëndën deri në Gjykatë Supreme, por kjo e fundit e kishte hedhur poshtë duke e vlerësuar të pa bazuar në fakte.
Tendenca e Listës Serbe për të lejuar përdorimin e dokumenteve serbe ka lidhje me pajtimin që Kosova i kishte dhënë OSBE-së, kur u mbajtën zgjedhjet e para demokratike në pjesën veriore të Kosovës të mbajtura më 2013.
Alberta Hashani
Top Channel