Nga Jetona Koçibelli

Kur isha fëmijë i bëja pyetjen shpesh vetes, pse Bajlozi duhet të vijë nga deti? Ndërsa sot arsyeja më bën të mendoj se pse deti duhet të përshkruhej si diçka e frikshme, si diçka nga e cila duhet të ruhemi e të mos e dashurojmë bukurinë e tij?

A janë këngët dhe folklori ynë të pasura me figuracion e lavde për detin? Jo aq sa në të kundërt përshkruhet malësorja e bukur me drapër në dorë, apo Margjeloja.

Këto mendime nuk më erdhën ashtu rastësisht tani, sepse në këtë stinë jemi më shumë se kurrë të lidhur me lirinë e detit. Në Ulqin, aty ku pushova për disa ditë, vendasit kanë një shprehje. “Mjafton të fusësh gishtin në det dhe je i lidhur me gjithë botën”-thonë Ata.

Por kjo është pikërisht ajo që ne nuk e kemi dashur. Kompaktësinë dhe lirinë që përcjell deti. Deti ka qenë tek ne ikja, arratisja, bota tjetër, perëndimi për gjysmë shekulli. “Secili ka Trojën e vet”-ka thënë poeti. E Troja e epopeve apo himneve nuk ka qenë për ne Deti.

Të gjitha këto ditare pushimesh më vinin në mendje ndërsa shihja hapësirën e paanë të tij, sëbashku me Kalanë e Ulqinit, apo Bunën, barkat, detarët, peshkatarët, por sidomos për mua perlën më ekzotike plazhin e Valdanosit. Bashkë me imazhet reale ndër mend më vijnë edhe vargjet:

Burrat tuaj aq trima do ta lenë vall’Ylqinë
Edhe gjithë Shqiparët ta mbajë armiky ynë ?
Nuk më ngjan e s´e besoj kam te Zoti shumë shpresë
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë

Naim FRASHËRI ( Pjesë nga “Bagëti e bujqësia“)

Jeta e një qyteti është ashtu si ajo e njerëzve që lindin dhe vdesin, por në këtë qytet ka rrjedhur një perpetuum mobile e jetës, duke bërë që themelet e forta të mureve ilire apo pellazge t´i rezistojnë shkatërrimeve e djegieve. E më pas Kulla e Balshajve apo kisha xhami me minaren është dëshmi e një historie dhe jete qytetare të evoluar në rrjedhat e kohës.

Një përshkrim të Kalasë e ndeshim në një dokument të vitit 1696 (ku bëhet fjalë për në aksion të venedikasve kundër ulqinakëve për të ndaluar piraterinë në Adriatik).

Mes të tjerash thuhet: Olciniumi i vjetër, tani Dolcino, ngrihet mbi një shkëmb të thepisur dhe të vrazhdë në Shqipëri, pranë grykës së gjirit të stuhishëm të Drinit. Arkitektura e përshkruar më herët përkon edhe me atë sot. Qyteti të le një mbresë vizuale si të një anijeje të ngujuar në breg.

Ajo ka brenda saj rrugë kryesore me dyqane dhe objekte të ndryshme, me pazare, shtëpi banimi, xhami, lagje të reja dhe të vjetra ku ka festa të shumëllojshme, ashtu siç është edhe festa e librit, apo Panairi që i mbush dy dekada jetë në këtë qytet.

Arkitektura e këtushme është një histori e formës dhe stilit, dhe sidomos imponimeve të kulturave të ndryshme (turke, venedikase) etj. Urbaniteti i këtushëm shpalos qartë kombinimin e sensibilitetit dhe monotonisë mediterane. Por edhe ekonominë apo motivimet politike. Në fillim ishin bedenat, portat, kishat e sheshet vendedikase, të cilat u shndërruan me xhami, hamame e kroje turke.

Por ajo që të ngelet është një shije klasike dhe frymëzuese në këtë qytet.

Ullishtet këtu përveçse një kënaqësi për syrin e bëjnë këtë vend të njohur në konservimin dhe përpunimin e vajit të ullirit, por edhe në prodhimin e esencave eterovajore të përdorura në farmaci dhe kozmetikë. Madje vaji i ullirit që prodhohet në Ulqin zë vendin e parë të cilësisë në bregun e andejmë të Adriatikut.

Edhe Kriporja e Ulqinit, dikur gjiganti ekonomik i Malit të Zi, falë insistimit të BE është shpallur park natyror dhe është vënë në shërbim të turizmit sepse këtu mund të shihen rreth 300 lloje të zogjve nga 500 të njohur në Evropë.

Në vitet e ‘80, kompanitë hotelerike të qytetit kishin së bashku 4040 shtretër hotelerik të kategorive B+ (4 yje e sipër), pa përfshirë këtu autokampet dhe pushimoret luksoze të SFRJ në territorin e Ulqinit. Atëkohë, këto hotele mirëprisnin rëndom turistët gjermanë. Në resortin ku po pushoj, që dikur i takonte njërës nga këto kompani, sot ka vetëm turistë francezë, sepse një agjenci franceze e turizmit ate a kanë marrë me qira për krejt sezonin.

Pranë tij është një resort tjetër i mbushur rëndom me britanikë. Pamja është ndjellëse. Me cekëtinat e ujit blu dhe një bukuri origjinale. Përveç objekteve sportiv që janë në shërbim të turistëve, nga ana tjetër ajri i pastër i detit, rëra, ujërat mineralë dhe balta shëruese e bëjnë edhe më tërheqëse të gjithën këtë eksperiencë.

Aq më shumë kur dëgjon turistët që pëshpërisin: “E dinit që këtu është xhiruar një pjesë e filmit ‘The Brothers Bloom’?”

Epo gjithmonë kinematografia e lë një shenjë.

Top Channel