Në librin e ri të prof. Shaban Sinanit është synuar të çlirohet vepra e Migjenit prej leximeve doktrinare, cilatdoqofshin ato; të rivendoset një marrëdhënie e pakushtëzuar midis saj dhe lexuesit; të kapërcehet shekulli i leximit të orientuar dhe të disiplinuar, duke e rinisur interpretimin aty ku u mbyll vepra e autorit, me kthimin tek burimi, te Migjeni i vetëmjaftueshëm.
Leximet dhe interpretimet e projektuara, me fshehje e heshtje të pjesshme të të vërtetave letrare e jetësore, po aq sa dhe me shquarje e mbishquarje të tyre, u kanë sjellë dëme marrëdhënieve të veprës së autorit me lexuesit, dëme që shkojnë deri në deformim.
Nëse Jeronim de Rada qe ura e parë që ndërlidhi jo vetëm në kronologji romantizmin shqiptar me romantizmin europian, Migjeni është poeti i parë që i ndërroi hierarki nënsistemit letrar shqiptar, duke e lartësuar atë në një shkallë mbinacionale, në shkallën e një letërsie rajonale, siç qe letërsia sociale në Ballkan në vitet ‘30, e sinkronizuar me traktate, kode dhe poetikë. Migjeni ishte dhe do të mbetet përgjithnjë dukuri e letërsisë shqipe, por në të njëjtën kohë edhe pjesë e yllësisë së poetëve të letërsisë sociale në Ballkan: Miroslav Krleža, Srečko Kosovel, Radovan Zogović, Esad Mekuli, Antun Simić, Kočo Racin, Janis Ricos, Hristo Smirnenski, Miloš Crnjanski, Đuro Sudeta dhe të tjerë.
Me Migjenin letërsia kombëtare shqiptare, për herë të parë, i kapërceu kufijtë; u bë pjesë e rrjedhave panballkanike dhe hapi rrugë për europeizimin dhe ndërkombëtarizimin e saj, dukuri që erdhën më vonë dhe nuk mund të kuptohen pa të. Migjeni është poeti që i kapërceu kufijtë.
Skeda e librit:
Autor: Shaban Sinani
Titulli: Migjeni dhe Shkrimet
Gjinia: Monografi
Recensues: Blerina Suta, Roland Zisi
Redaktor: Naim Zoto
Botues: “Naimi”
ISBN: 978-9928-234-35-3
Numri i faqeve: 336
Çmimi: 1500 lekë.
Top Channel