Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Vendet e QUINT-it, përmes një deklarate kërkuan shmangien e veprimeve që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, që sipas tyre është e nevojshme për të dyja vendet për të arritur integrimin euroatlantik dhe përfitimet përcjellëse.
Por, edhe pas kësaj deklarate, Prishtina dhe Beogradi duket se nuk janë lëkundur nga pozicionet e tyre. Qeveria e Kosovës ende nuk i di kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Gjykata Kushtuese ende nuk i ka kthyer një përgjigje kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj lidhur me kërkesën për “definimin e kompetencave dhe funksionit të qeverisë, pas dorëheqjes së tij”.
Zyra e Haradinajt sidoqoftë, ka deklaruar se përsa i takon dialogut, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar atë dhe ajo është e gatshme të ulet në një tryezë bisedimesh për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke.
Sipas Qeverisë, ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar. Në anën tjetër, drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha se për Serbinë ekzistojnë disa çështje kontestuese në deklaratën e QUINT-it. Sipas tij, kjo tregon se çfarë rezultati të dialogut shohin vendet që e kanë lëshuar deklaratën.
Ai tha se Serbia është e hapur për dialog kur të hiqen taksat. Bisedimet Kosovë–Serbi që kanë nisur në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, janë ndërprerë për shkak të taksës doganore që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia që nga muaji nëntor i vitit të shkuar. Vendosja e kësaj takse, ishte kundërpërgjigje ndaj politikave të Beogradit dhe Sarajevës në raport me shtetin e Kosovës.
Top Channel