Në Gjirokastër ka filluar rindërtimi i një prej rrugëve kryesore në pazarin karakteristik, asaj të mozaikut të pazarit, që do të jetë një punë shumë delikate pasi po punohet gur pas guri. Zbatuesit thonë se sekreti ka qenë te përdorimi i gurit 14 cm të gjatë .

Andrea Goxho njëri prej mjeshtrave thotë se është kthyer nga emigracioni për të qenë pjesë e ndërtimit të mozaikut historik. Ai beson se punimet do të sjellin një qilim me cilësi edhe më të lartë se mozaiku i mëparshëm.

Ndërsa inxhinieri zbatues i punimeve Pilo Dhame tha se skicat e ndërtuara mbi projektin e hartuar 50 vjet më parë nga Genci Braja janë ruajtur rigorozisht.

Ajo që do të ndryshojë tek nozaiku i ri i pazarit të Gjirokastrës do të jetë zbatimi korrekt i parametrave duke korrigjuar edhe gabimet e bëra gjatë ndërtimit të parë të tij. Mozaiku pritet të ketë në përfundim të tij 37 kuadratë të parametrave 2.20 x 2.20 në vend të 39 kuadratëve të dikurshëm.

Punimet në qafën e pazarit nisën në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Projekti me vlerë mbi 137 milion lekë ka një afat zbatimi njëvjeçar. Prishja e kalldrëmeve të ndërtuara në vitin 1968, u shoqërua me reagime të ashpra dhe dyshimin e fortë jo vetëm të cilësisë së punimeve, por edhe të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore për qytetin që mbrohet nga UNESCO.

Në fillim të vitit rehabilitimi i infrastrukturës nëntokësore të qafës së pazarit që tashmë ka përfunduar pasoi projektin e restaurimit të fasadave të pazarit që përfundoi vitin e shkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA