Netët buzë shatërvanit të Prizrenit, aty ku gërshetohet klima detare e Adriatikut me atë malore të varg maleve të Sharrit, përshkohet nga freskia e Lumbardhit.
Këtu koha kalon nën shoqërinë e njerëzve më të dashur dhe një gote çaji rusi që kushton 30 cent, apo një kafeje të ngrohtë që kushton 1 euro.
Megjithëse rrugët nga kalldrëmi zor mund të shihen nga numri i madh i turistëve, çmimet e lokaleve për ta sërish mbetën të lira.
“Të jetosh, të hash dhe pish këtu është shumë më lirë se sa në vendlindjen time në Skoci apo edhe në tërë Evropën Perëndimore. Unë këtu po pij kafe që kushton 1 euro, e kjo në vendin tim do të kushtonte 5 euro, ndërsa kur bleva një shishe me ujë në stacionin e autobusit pagova vetëm 50 cent, por të njëjtën e paguaj 2 deri në 3 euro në vendin tim”, u shpreh Neil McLennan, turist nga Skocia.
Për ata që zgjedhin një vakt dreke apo darke, Prizreni njihet për përgatitjen e pleskavicës që kushton jo më vetëm se 2 euro dhe qebapit që kushton vetëm 40 cent.
“Ne jemi duke ngrënë disa lloje mishi dhe të gjitha i morëm me një çmim shumë të lirë. Duhet të theksohet patjetër edhe kostoja e ushqimit të shpejtë. Para sa ditësh ishim edhe në Shkup dhe çmimet janë më lirë se atje”, tha Jann, turist nga Finlanda.
Për desert ëmbëltoret janë të mbushura me torta, bakllava e akullore me shumë shije të cilat shpesh shoqërohen me limonadë apo bozë.
Një top akullore e gjen në çdo vend me 40 cent, ndërsa tortat e bakllavatë nga 1 deri në 2 euro.
Fjetja nën dritën hënës poshtë kalas së Prizrenit, mund të bëhet me një çmim hotelesh nga 30 deri në 150 euro apo në hostele me 15 euro.
Top Channel