Presidenti Donald Trump ka thënë se urrejtja nuk ka vend në SHBA pasi 29 persona u vranë në dy sulme gjatë fundjavës, në mesin e akuzave se ai mban një pjesë të përgjegjësisë. Një sulm në një dyqan Walmart në El Paso, Teksas, i mori jetën 20 personave ndërsa nëntë të tjerë humbën jetën në një tjetër sulm në Dayton, Ohio.
Trump tha se ndoshta duhet bërë më shumë për të ndaluar sulme të tilla. Por kritikët nënvizuan se ai ishte pjesë e problemit, duke cituar retorikat e tij anti emigrantë dhe kundërshtinë ndaj një kontrolli më të rreptë të armëve. Duke folur për gazetarët, Trump tha se këto vrasje masive duhen ndaluar.
“Urrejtja nuk ka vend në SHBA. Ne do të garantojmë që kjo të ndodhë. E gjithë kjo duhet të ndalojë. Ndodh prej vitesh. Ne duhet ta ndalojmë”, tha Trump.
Një 21-vjeçar u arrestua në lidhje me sulmin në Teksas dhe besohet se ai kishte postuar online një dokument ku e quante sulmin një reagim ndaj ‘pushtimit’ latin të shtetit. Motivet e autorit të sulmit në Ohio, që vrau motrën e tij dhe tetë persona të tjerë të dielën, para se të qëllohej për vdekje edhe ai nga policia, janë ende të paqarta.
Rasti i fundit, besohet se është i teti më vdekjeprurësi në historinë moderne të SHBA-së dhe ndodhi në një qytet ku pjesa më e madhe e popullatës, ka prejardhje latine. Përveç viktimave, në sulmin në Walmart, u lënduan edhe 26 persona.
Top Channel