Mbi kanalin anglez/ Duke fluturuar me “Hoverboard”

05/08/2019 18:42

Një aventurier francez, që kaloi vite të tëra për të krijuar hoverboardin që tërhoqi mbi vete të gjithë reflektorët gjatë festimeve të ditës së Bastijës në Francë, ia ka dalë mbanë të dielën të kapërcejë kanalin anglez, duke përmbushur kështu misionin e tij aspak të lehtë.

Franky Zapata, u nis nga Sangatte, në bregun verior të Francës me flyboardin e tij, dhe fluturoi për 35 km deri në gjirin e shën margretës, në dover.

Shoqëruar nga tre helikopterë, ai u ngrit mbi ujë herët në mëngjes dhe u ul 22 minuta më vonë në gjirin piktoresk, i pritur me duartrokitje nga dhjetëra spektatorë dhe gazetarë.

“Ndjehem mirë, jam shumë i lumtur dhe me fat. Ky është një moment i mrekullueshëm për mua”, tha ai.

Ai e përshkoi distancën me një shpejtësi prej 160-170 km në orë, duke bërë zig-zage ndërsa i afrohej bregut në përpjekje për të zbutur lodhjen e këmbëve.

40 vjeçari, një ish kampion në jet ski, e kish bërë një përpjekje tjetër më 25 korrik, por ai u desh të nxirrej nga uji pasi nuk mundi të ulej mbi një barkë, për tu furnizuar në mënyrë që të përfundonte udhëtimin.

Zapata ka punuar për tre vjet me hoverboardin e tij dhe mban rekordin guinness për fluturimin më të gjatë me këtë mjet, një udhëtim 2.2 km mbi detin mesdhe, në prill 2016.

Top Channel