Gjeoda gjigande/ Spanjë, hap dyert për vizitorët

04/08/2019 13:36

Një gjeodë gjigande në Spanjën Jugore në Pulpi, ka hapur për të parën herë dyert për vizitorët, këtë verë. Njerëzit tani mund të hyjnë brenda shpellës së rrallë, më e madhja në Evropë dhe e dyta më e madhe në botë, dhe të mrekullohen me bukuritë e saj.

Gjeoda është një shpellë në një shkëmb, e mbuluar me kristale. Në këtë rast, shkëmbi është një dolomit dhe ka një frakturë. Kjo frakturë mbushet me lëngje hidrotermale dhe ato më pas krijojnë gjeoda.

Kjo gjeodë është e veçantë për llojin e saj, është tetë metra e gjatë, 1.7 e lartë dhe 1.8 metra e gjerë. Ajo është e rrallë edhe për sa i takon transparencës së kristaleve të saj.

Siç thotë gjeologja, mund të lexosh një libër përmes tyre. Gjeoda është 60 metra e thellë dhe është e dyta më e madhe në botë por e vetmja që mund të vizitohet.

Gjeoda gjigande në Pulpi është zbuluar në 1999 nga një grup gjeologësh nga madridi dhe thuajse 20 vite më vonë, ëndrra është bërë realitet dhe tani do të jetë e hapur për publikun.

Për të arritur në brendësi, janë dashur punime ekstra. Janë larguar më shumë se 700 tonë baltë dhe mbetje dhe disa pika janë adaptuar.

Top Channel