Këtë sezon turistik pushuesit po shijojnë më në fund hapësirat e caktuara për plazhe publike. Subjektet private nuk kanë guxuar t’i zaptojnë sërish siç ndodhte rëndom pas çdo aksioni të agjencive ligjzbatuese.

Ky është viti i parë që kjo grua ka gjetur hapësirë të lirë publike dhe po pushon te ”Pishat e buta” në Golem me familjen. Por problem mbetet papastërtia. Ndryshe nga plazhet private ajo konstaton se pushuesit hedhin vend e pa vend mbeturinat.

“Lënë për të dëshiruar kushtet. Nuk ka ambiente të pastra dhe pse janë koshat e mbeturinave njerëzit i hedhin aty ku hanë. Qetësia është e mirë. Ujërat e zeza mbeten ende problem, por janë përmirësuar pak kushtet nga vjet”, thanë disa qytetarë.

“Jam nga Korça dhe këtu kam shtëpinë time. Vij në plazhin publik, pa pagesë. Vij çdo vit e qëndroj nga një deri në dy muaj. Ka ca ndryshime po me këto plehrat nuk jemi fort mirë. I lenë rrugëve”, thotë një tjetër.

Po ka dhe pushues të kënaqur nga ndryshimet që ka pësuar e gjithë zona. Ndërsa shumë durrsakë zgjedhin freskinë e Pogradecit në këto temperatura të larta, ka pogradecarë që preferojnë jodin e Adriatikut e banjot e detit e rërës.

“Kushtet janë shumë të mira. Kemi qenë dhe vjet po nuk ishte kështu. Pastërtia e rërës dhe e detit është e mirë. Kur vijmë në mëngjes gjithçka është e pastruar. Jam nga Pogradeci. Ne kemi dhe gjolin atje, po na pëlqen dhe kripa, deti, jodi e rëra. Shumë mirë”, thotë një tjetër.

Përgjatë brigjeve të Adriatikut në Durrës e Golem, pushuesit po i gëzohen lirimit të 20 % të hapësirës së brezit ranor të përcaktuar me ligj për plazhe publike, po kërkojnë dhe plotësimin e kushteve higjeno-sanitare për pushime sa më cilësore dhe larg problemeve shëndetësore që mund t’u shkaktohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA