Haradinaj letër për Presidentin dhe opozitën: Qëndroj kryeministër deri në zgjedhjen e Qeverisë së re

22/07/2019 16:44

Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar me letër krerëve të institucioneve dhe kryetarëve të partive opozitare, ku i njofton për dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i Qeverisë. Vendimi i Haradinajt pasoi ftesën nga Gjykata Speciale për të dëshmuar mbi krimet e pretenduara gjatë luftës së Kosovës.

Haradinaj i është drejtuar me letër edhe partive opozitare, midis tyre Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeminister dhe Qeveri në dorëheqje”, shprehet ai.

Ramush Haradinaj do të niset nesër për në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, e cila edhe pse selinë e ka në qytetin holandez, funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, jo-zyrtarisht raportohet se ato do të zhvillohen më 8 shtator.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel