Maxhoranca është tërhequr të paktën përkohësisht nga nisma e shumëdebatuar për krijimin Korporatës Shtetërore të Investimeve. Drafti ishte parashikuar të votohej këtë të martë në komisionin e ekonomisë, por u tërhoq në minutat e fundit

“Ligji për korporatën e investimeve është shtyrë me dakortësinë e opozitës dhe maxhorancës. Komisioni i ekonomisë ka vendosur të ngrejë një grup pune me dy përfaqësues të opozitës dhe dy të maxhorancës. Grupi do të shqyrtojë drafti dhe çdo gjë do të bëhet në dobi të qytetarëve sepse kështu siç është sot ligji nuk ka transparencë dhe nuk i shërben qytetarëve”, tha Arben Elezi nga grupi Parlamentar Demokrat.

Sipas projektligjit të propozuar nga qeveria korporata shtetërore e investimeve do të menaxhoj të gjithë pronat publike duke patur të drejtë të hyjë në marrëdhënie me privatët për ti zhvilluar ato. Paralelisht drafti i jep këtij institucioni atribute të marrë kredi nga bankat vendase ose të huaja për të financuar investimet publike.

Por pika më e debatuar në nismën e qeverisë është mënyra se si do të administrohet korporata. Edhe pse me pronësi publike, korporata e investimeve do të qeveriset si një ndërmarrje private, pa ju bindur ligjit të prokurimeve publike.

Të gjitha këto përcaktime janë pritur me rezerva jo vetëm nga ekspertët por edhe institucionet ndërkombëtare. FMN deklaroi publikisht se në formën që e ka propozuar qeveria korporata e investimeve krijon rrezik për financat e shtetit dhe cenon integritetin e investimeve publike.

Që nga momenti kur projektligji u hodh për diskutim publik, presioni i ndërkombëtareve mbi qeverinë ka qenë konstant dhe me sa duket e ka detyruar maxhorancën të tërhiqet, të paktën përkohësisht nga miratimi i ligjit në Kuvend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA