Nga AGIM VINCA
Kjo është një përmbledhje esesh, shkrimesh publicistike,vështrimesh kritike, skicash e reportazhesh që bëjnë radiografinë e shoqërisë sonë, duke u vënë emër dukurive të bukura e të shëmtuara të kohës që po jetojmë, si dhe krijojnë një përjetim të veçantë estetik te lexuesi i tyre.
Vrojtimi i thellë i botës dhe përshkrimi i saj me sens të veçantë prej artisti, bën që këto shkrime të lexohen si një tërësi eksploruese mbi dritë-hijet e shoqërisë, por edhe si tekste të mëvetësishme, që e shpërfaqin në detaje e me argumente konfigurimin e mendësisë sonë kolektive e jo vetëm.
Duke qenë një nga autorët e rrallë të këtij shekulli që arrijnë ta lidhin lexuesin me penjtë e kureshtjes dhe të përjetimit estetik në secilin rresht që shkruajnë, në cilindo zhanër që zgjedhin të shprehen, profesori, studiuesi dhe poeti Agim Vinca, kësaj here, ia blaton lexuesit të vet këtë përmbledhje shkrimesh publicistike që i përshkojnë një nga një dukuritë e shoqërisë sonë, me tërë bukurinë dhe amullinë që kanë brenda.
Në penën e hollë të këtij krijuesi, i cili shquhet për syrin e mprehtë të vrojtimit të botës dhe konvertimin e këtij vrojtimi në një tekst të vlefshëm, ku prin erudicioni dhe talenti prej shkrimtari, të gjitha ngjarjet, të njohura e të panjohura, shijohen ndryshe. Duke folur për të errtën dhe të ndritshmen, me intuitë intelektuali dhe narrativë të shtruar prej shkrimtari, prof. Agim Vinca e servon në këtë libër gjithë paletën e ngjyrave, aq sa ai mund të lexohet edhe si kronikë me mjegull e dritë e një kohe, e një shoqërie e një brezi… Kur është mjegull, i ka arsyet e shfaqjes dhe dendësitë e ndryshueshme të saj, ndërkaq kur është dritë, është e plotë, kurrë e vagët. Me pak fjalë, secili lexues merr sa mundet prej këtij libri, duke shijuar e reflektuar pa pra. Agim Vinca është ndër të vetmit intelektualë, për të mos thënë i vetmi, që shkruan në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha ngjarjet kruciale të shoqërisë sonë dhe që arrin ta mbajë lexuesin të lidhur për librin që ka në duar.
Top Channel