Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi pas publikimit te bisedës së kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev me dy komedianët rus, duke thënë se kishte patur për këtë një komunikim me shefin e ekzekutivit maqedonas.

“Ai më telefonoi për të më sqaruar se për çfarë kishin folur, më tha se kishte rene pre e mashtrimit, dhe se të gjitha ato që ka thënë për gjoja ndarjen e Kosovës, i ka përsëritur bazuar në thashetheme, dezinformata dhe të dhënat e gazetës Sputnik dhe thashethemeve ruse. Më kërkoi falje mua personalisht dhe të gjithë Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Zaev ra viktime e dy humoristëve rusë, të cilët përmes telefonit i ishin prezentuar si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Një gjë e tillë, bëri bujë në Shkup pasi Zaev në bisedë dëgjohet duke folur për gjëra të konsideruara si sekrete shtetërore, gjë që solli edhe reagimin e ashpër të opozitës maqedonase. Një nga pikat që prek gjatë bashkëbisedimit, është dhe çëshjtja e Kosovës.

Shefi i ekzekutivit maqedonas flet me shqetësim për ato që i përshkruan si përpjekje mes Kosovës e Serbisë për të shkëmbyer territore, e këtu përmendte një plan konkret, duke thënë se zgjidhja qe po diskutohej ishte qe 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës.

Telefonata është kryer në fund të gushtit 2018 dhe në janar të 2019-s, por Zaev nuk kishte kuptuar asgjë. Ai e mësoi të vërtetën vetëm mbrëmjen e së hënës, kur dy humoristët Vovan dhe Leksus e publikuan bisedën telefonike në Youtube.

Top Channel