U deshën me mijëra vite që popullsia e tokës të arrinte 5 miliardë, në vitin 1987, dhe vetëm 32 vite për të shkuar në pothuajse 8 miliardë. OKB thotë se popullsia e botës pritet të arrijë 8 miliardë brenda 5 vitesh.
Kjo rritje ka shqetësuar udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara, të cilët kanë krijuar Ditën e Popullsisë, për të ndërgjegjësuar njerëzit në lidhje me mbipopullimin. Kjo ditë është 11 korriku.
Planeti tokë sot ka 7.7 miliardë banorë, dhe shumë shpejt pritet të arrijë 8 miliardë, ndërsa në vitin 2050 pritet të shkojë pothuajse 10 miliardë, nëse vazhdon me këtë ritëm.
Megjithatë, disa vende janë duke humbur popullsi, mes tyre dhe Shqipëria. Shkaqet janë që nga ulja e lindjeve, në vende si Kina dhe Japonia, por edhe nga zhvillimi në disa zona, që tërheq emigrantë që vijnë nga zona më pak të zhvilluara.
Gjysma e kësaj rritjeje të popullsisë do të vijë nga vetëm nëntë vende, pesë prej të cilave janë në Afrikë: Uganda, Tanzania, Etiopia, Nigeria, Republika Demokratike e Kongos. Vendet e tjera janë India, Nigeria, Pakistani, Indonezia, por edhe Egjipti dhe SHBA.
Pavarësisht rritjes së popullsisë në Afrikë, jetëgjatësia në vendet e varfra është më e ulët, dhe pritet që në vitin 2050 të shkojë nga 72 deri në 77 vjeç.
Shumë vende po vuajnë nga mbipopullimi, dhe do të vuajnë sërish në të ardhmen. Këto kushte kontribuojnë në probleme shoqërore dhe mjedisore, që nga ndotja e deri te kequshqyerja, pabarazia dhe shpërndarja e shpejtë e sëmundjeve.
Por pavarësisht rritjes së shpejtë, popullsia e botës gjithashtu po plaket shumë shpejt. Një tjetër rekord që u arrit në vitin 2018 ishte se njerëzit më të vjetër se 65 vjeç për herë të parë u bënë më të shumtë nën numër se njerëzit nën 5 vjeç.
Popullsia e Japonisë pritet të vazhdojë të bjerë, por më të rrezikuara janë sidomos vendet e Ballkanit. Në fakt, katër nga pesë vendet që do të humbin më shumë popullsi deri në vitin 2050 janë pikërisht në Ballkan, dhe Shqipëria mendohet që në atë vit t’i ketë rënë popullsia në mënyrë dramatike, deri në 1 milion banorë.
Top Channel