Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka rënë viktimë e dy humoristëve rusë, të cilët përmes telefonit i janë prezentuar si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në bisedat audio Zaev dëgjohet duke folur për çështje serioze dhe të konsideruara si sekrete shtetërore, gjë që ka sjellë edhe reagimin e ashpër të opozitës maqedonase.

Telefonatat janë bërë në fund të gushtit 2018 dhe janar 2019, ndërsa Zaev e kuptoi mashtrimin vetëm pasi dy humoristët e njohur rusë Vovan dhe Leksus e publikuan këtë të hënë në mbrëmje në youtube bisedën telefonike.

Zaev gjatë një konference shtypi të martën kërkoi falje duke thënë se ishte bërë viktimë e mashtruesve me orientime anti-NATO, qëllimi i të cilave është që t’i shkaktojnë dëme direkte interesave strategjike Maqedonisë së Veriut në lidhje me integrimin në Aleancen e Atlantikut të Veriut.

Në bisedën telefonike flitet edhe për çështje si Marrëveshja e Prespës, raportet me Rusinë, BE-në e NATO-n, teksa Zaev shprehet i shqetësuar për ngjarjet midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se ka përpjekje për shkëmbime territoresh duke hamendësuar nga ana tjetër se këtu mund të ketë ndikim rus dhe duke theksuar frikën për të ardhmen e Ballkanit.

Opozita e drejtuar nga VMRO-DMNE-ja e ka quajtur një skandal serioz bisedën e kryeministrit me dy mashtruesit rusë, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e Zaev dhe të ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov pasi thotë se kanë lëshuar protokollin diplomatik. Por Zaev i hodhi poshtë akuzat se kishte folur për sekrete shtetërore në këto biseda të manipuluara me telefon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA