Kyriakos Mitsotakis, ka politikën që i rrjedh në vena. Babai i tij, Kostandin Micotaqis, ishte kryeministër në fillim të viteve 90 dhe motra e tij, dora Bakojanis, kryebashkiake e Athinës kur qyteti priti lojërat olimpike në 2004, para se të bëhej ministre e jashtme.
Bashkë me familjen socialiste Papandreu dhe atë konservatore Karamanlis, familja Micotaqis ka dominuar politikën greke për vite të tëra. Kur Demokracia e Re, konservatore, u rrëzua nga pushteti në janar 2015 nga Syriza radikale e majtë, pati një ndjesi revolucioni.
Garda e vjetër, u duk se ishte shembur, e fajësuar për zhytjen e ekonomisë në krizë dhe dënimin e grekëve me masat shtrënguese të kursimit. Kiriako Micotaqis ishte pjesë e asaj qeverie të fundit konservatore, në postin e ministrit për reformat administrative, me detyrën që të shkarkonte mijëra shërbyes civilë me qëllim që të plotësoheshin kushtet e paketave ndërkombëtare të shpëtimit.
I konsideruar një liberal, Micotaqis, 51 vjecar, mori drejtimin e Demokracisë së Re në janar 2016, një vit në të cilin u mbajtën dy palë zgjedhje dhe një referendum.
Ai përfitoi nga zemërimi popullor ndaj Tsiprasit, veçanërisht pas marrëveshjes për emrin e Maqedonisë së Veriut, duke e akuzuar atë se po përcante popullin.
Në fund të majit, partia e tij fitoi zgjedhjet evropiane me 33 për qind të votave, ndërsa Syriza ra nën 24 për qind. Dhe ky, ishte një sinjal më shumë se i qartë.
Përsa i takon Shqipërisë, Micotaqis ka përdorur tone të ashpra ndaj duke paralajmëruar pengesa nga ana e Greqisë për çeljen e negociatave. Ai është treguar i ashpër edhe me emigrantët, duke shprehur rezerva për qëndrimin e tyre në Greqi, ndryshe nga Tsipras, që legalizoi shumë emigrantë, veçanërisht nga Shqipëria, dhe ofroi ndihma financiare e lehtësi fiskale për ta.
Babai i tij, konstandin Micotaqis, kur ishte në pushtet, urdhëroi operacionin që mbahet mend me emrin “fshesa”, kundër shqiptarëve që i në ato vite i drejtoheshin në masë vendit fqinj. Tani, ai që nga rivalët quhet ‘princi i kurorës’ i politikës greke, po nxiton tia kthejë Greqinë qendrës së djathtë.
Top Channel