Një çmenduri juridike e ka cilësuar deputeti Andi Përmeti, nga radhët e Bindjes Demokratike, Dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, e më pas përcaktimin e një date tjetër për zgjedhjet.
Sipas tij, Neni 92 i Kushtetutës e përcakton qartë se është Presidenti ai që cakton datën e zgjedhjeve, por pas këtij momenti Kreu i Shtetit s’mund të ndërhyjë më.
“Neni 92 i Kushtetutës thotë se Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve. Meta dekretoi datën 03 qershor, e çdo dekret prodhon pasojat ligjore. Presidenti nuk duhet të mendojë apo logjikojë, por duhet të veprojë në bazë të ligjeve dhe të drejtave që i jep Kushtetuta. Presidenti mund të mendojë shumë gjera. Mund të mendojë siç tha që Amerika të mos shikojë zgjedhjet në Shqipëri, por të shkojë në Korenë e Veriut, mund të dekretojë luftë me Amerikën”, u shpreh Përmeti.
Por për ta sqaruar më tej qëndrimin e tij për pamundësinë e Presidentit për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve, deputeti Andi Përmeti mori si shembull rastin që nëse Basha e Rama do të arrin një marrëveshje për zgjedhje më 13 tetor, por Kryemadhi nuk do të ishte dakord.
“Çfarë do të ndodhte nëse Basha do të arrinte marrëveshje me Ramën, e të dy të thonë se do shkojnë në zgjedhje më 13 tetor. Del Monika Kryemadhi dhe thotë nuk dua zgjedhje më 13 tetor. Del Meta, edhe zhdekreton 13 tetorin, edhe dekreton 20 tetorin. Kjo është çmenduri, është jashtë çdo kufiri logjik dhe ligjor”, u shpreh Andi Përmeti.
Por sipas tij, Meta me vendimet e tij është qartazi në konflikt interesi, pasi ka marrë edhe një akt në favor të gruas së tij.
“Zhdekretimi i datës së zgjedhjeve është nul, sepse është në tejkalim të plotë të të drejtave që i jep Kushtetuta. Jo vetëm kaq, por ne kemi edhe një nen 108 të procedurave civile, që thotë qartë se çdo akt i nxjerrë në konflikt të pastër interesi është akt nul. Ne po thamë tani që nuk ka konflikt interesi mes një burri dhe një gruaje, dhe një burri që nxjerr një akt për gruan e tij, atëherë kjo është çmenduri. Duhet të tallemi dhe të bëjmë teatër me njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Top Channel