Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, të Kosovës paralajmëruan se nuk do të lejojnë asnjë zyrtar nga Beogradi të vizitojë Kosovën dhe se kërkesat e tilla do të refuzohen derisa Beogradi nuk po ndryshon sjelljen.

Këshilltari Politik i Ministrit të Punëve të Jashtme, të Kosovës, Jetlir Zyberaj, tha në një postim në “Facebook”, se vendimi pason “kërcënimet hibride që Serbia bën ndaj Kosovës, propagandën e vazhdueshme dhe lajmet e rreme ndaj vendit dhe qytetarëve si dhe përpjekjet e fundit, për të inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare, në veri të Kosovës”.

Në veri, të hënën dhe të martën, tregtarët i kanë mbyllur dyqanet, duke thënë se nuk kanë prodhime për të shitur. Vendimi i tyre ka ardhur më shumë se shtatë muaj, pasi Qeveria e Kosovës u ka vënë taksë 100%, prodhimeve të importuara nga Serbia.

Dyqanet në veri janë rihapur të mërkurën, por tregtarët kanë thënë se vazhdojnë të kenë mungesa prodhimesh. Qeveria e Kosovës ka hapur disa pika të shitjes atje dhe i ka mohuar pretendimet e Beogradit se në veri ka “krizë humanitare”.

Top Channel