Parlamenti Evropian/ David Sassoli zgjidhet kryetar

04/07/2019 01:59

Eurodeputeti italian, David Maria Sassoli u zgjodh president i Parlamentit Evropian, të mërkurën, kjo pasi edhe liderët e BE rekomanduan që një socialist duhej të zgjidhej në krye të legjislaturës së re.

Sassoli mori 345 vota në raundin e dytë. Jan Zahradil mori 160 vota dhe Ska Keller 119. Ish gazetari italian zëvendëson kështu Antonio Tajanin në rolin e ngjashëm me atë të kryetarit të parlamentit.

Votimi në parlamentin evropian vjen një ditë pasi liderët e BE ranë dakord për nominimet për postet kryesore të bllokut me një grua, që për të parën herë propozohet si shefe e Komisionit Evropian.

Zgjedhja surprizë e ministres gjermane të Mbrojtjes Ursula Von der Leyen, për të zëvendësuar Zhan Klod Junker, pasoi ditë negociata të vështira që çuan në refuzimin e pretendentëve kryesorë.

Emri i saj duhet tani të miratohet nga një shumicë eurodeputetësh në një votim që do të mbahet në Strasburg më 15 korrik. Nëse kandidatura e saj refuzohet, liderët kombëtarë do të kenë edhe një muaj kohë për të nominuar një zëvendësues.

Kristine Lagarde, shefja aktuale e Fondit Monetar Ndërkombëtar është nominuar si gruaja e parë në krye të Bankës Qendrore Evropiane.

Ndërsa kryeministri liberal belg, Charles Michel, është zgjedhur për të zëvendësuar presidentin e këshillit evropian, Donald Tusk. Ministri i jashtëm spanjoll, Josep Borrell ndërkohë mund të jetë zëvendësuesi i Federika Mogerinit në postin e përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme të BE.

Top Channel