Liderët e rinj të BE-Kosovë, pesimizëm për Josep Borrell

04/07/2019 21:00

Emrat e rinj që do të vihen në krye të Bashkimit Europian, janë të mirëpritur në Kosovë, me përjashtim të spanjollit Josep Borrell, shef i ri i Diplomacisë Europiane, që shihet me skepticizëm.

Ai pritet të konfirmohet nga Parlamenti Europian, por nëse do të pasoja italianen Federika Mogerini, do të duhet të ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi dhe fakti që Spanja, është një nga vendet që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, nuk konsiderohet aspak i favorshëm.

Sidoqoftë, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, thotë se politika e jashtme e BE nuk mund të varet nga origjina e Përfaqësuesit të Lartë, për politikën e jashtme.

Sipas tij, qeveria e Kosovës beson se politika e BE ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë. Por, në samitin e Sofjes për Ballkanin Perëndimor, Josep Borel, Ministër i Jashtëm i Spanjës, nuk pranoi të ulej në një tavolinë me Presidentin e Kosovës.

Në anën tjetër, në Serbi, emri i Borrell është pritur mirë. Për Aleksander Vucic, emërimi i spanjollit në postin e përfaqësuesit të lartë të BE për politikën e jashtme dhe sigurinë është një lajm i mirë pavarësisht se situata mbetet e vështirë.
Çështja e Kosovës thotë ai, nuk mund të zgjidhet me një ose dy njerëz në anën tonë.

Borrell ka vizituar Beogradin në fillim të këtij viti dhe tha atje se Spanja ka qenë kundër shpalljes së njëanshme të Pavarësisë së Kosovës.

Pavarësisht se nënvizoi se vetëm përmes dialogut mund të arrihet zgjidhja e përhershme e kompromisit për çështjen e Kosovës. Një vit më parë, Borrell u shpreh edhe kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në vija etnike.
Më shumë shpresë për Kosovën shihet nga gjermanja Ursula Von der Leyen, që e njeh mirë Kosovën.

Top Channel