Festivali i 14-të ndërkombëtar i muzikës së dhomës do të nisë më 4 korrik dhe do të vijojë deri në 21 korrik me pjesëmarrje jo vetëm nga Shqipëria por edhe me shumë artistë të huaj.
Edhe këtë vit ky festival do të organizohet në qytetin e Durrësit, në mjediset e Muzeut Arkeologjik nën emrin “Chamber Fest Durrës”, pasi edhe më herët është zhvilluar tek Amfiteatri, Torra apo mjedise të ngjashme kulturore të qytetit. Pjesëmarrës janë ansamble të ndryshme të huaja, artistë shqiptarë që jetojnë jashtë apo brenda vendit, të cilët do të interpretojnë pjesët e tyre më të mira në disa nga instrumentet muzikorë si: violinë, violonҫel, piano, faut, klarinetë…etj. Festivali zhvillohet nga shoqata Arti dhe Kultura Italo-Shqiptare, që u krijua në vitin 2004 në Durrës me iniciativën e disa artistëve durrsakë, të cilët kanë studiuar e kaluar një pjesë të veprimtarisë së tyre në Itali. Që prej vitin 2006 ky festival zhvillohet në qytetin bregdetar me pjesëmarrje të artistëve nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova…etj. Ky aktivitet artistik nis nesër me interpretuesit gjermanë me koncertin “Minguet Quartett” dhe përfundon të dielën me studentët e Universitetit të Arteve nën drejtimin e një dirigjenti italian. Pra, ky festival është tashmë edhe një mundësi e artë bashkëpunimi mes artistëve shqiptarë dhe atyre nga vende të ndryshme të botës.
Top Channel