Një ditë pasi e quajti reformën në drejtësi si “Ramaforma”, presidenti Ilir Meta publikoi ato që ai quan refleksione për këtë reformë, e cila u miratua me bekimin e SHBA dhe BE e po ndiqet hap pas hapi po prej tyre.

“Ju të gjithë e dini arritjen më të freskët të Ramaformës në Drejtësi”, thotë presidenti, “pikërisht momentin kur Kolegji Zgjedhor duke shqyrtuar hallin e Idajetit trukoi se kishte rrëzuar Dekretin e Presidentit”.

Presidenti paralajmëron fillimin e sqarimeve të momentit historik të ndryshimit cilësor nga Reformë në Ramaformë.

“Ky do të jetë një cikël i gjatë, shpjegues dhe çtensionues” premton kreu i shtetit. E ndërsa presidenca po punonte mbi këto refleksione, ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca do të postonte disa komente në Twitter për këtë reformë.

“Është koha që qeveria shqiptare, opozita dhe institucionet të tregojnë pjekuri dhe të angazhohen urgjentisht në dialog për të kapërcyer situatën politike aktuale. Është gjithashtu koha të ecet përpara me reformat e sundimit të ligjit. Zbatimi vazhdon dhe është i pakthyeshëm. Fokusi tani është krijimi i SPAK dhe rikthimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. Sapo të përfundojë procesi rigoroz i rivlerësimit të kandidatëve, SPAK do t’i mundësojë Shqipërisë të rrisë më tej luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu,duhet të rinisë me shpejtësi puna ndërpartiake për reformën zgjedhore. Të gjitha institucionet shqiptare dhe liderët politikë duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në këto objektiva,në kuadër të vendimit të rëndësishëm të Këshillit Europian në tetor”, tha Luigi Soreca Kreu delegacionit të BE Tiranë.

Për qëndrimet e sotme të presidentit Ilir Meta në lidhje me reformën në drejtësi reagoi zëdhënësja e qeverisë njëherazi ministre për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali e cila tha: “Baba Xhikja na la po Reformën në Drejtësi meazallah se e lëshon në rrokullimën e tij të zhurmshme! Ajo i del në gjumë, në ujë, në bukë, madje edhe në rrugë. Të shkretit Baba Xhike nuk i iket pa e vrarë atë dreq reforme, që e sheh si top, tank, kundërshtar, agresor ndërkombëtar”, tha Elisa Spiropali, zëdhënëse e qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA