Pas përfundimit paqësor të Lokaleve 2019, kryeministri Rama kërkon dialog me opozitën jashtëparlamentare, por kreu i opozitës, Basha sheh largimin e Ramës si kusht për zgjedhje të lira.
Me një pjesëmarrje të ulët, por të qeta dhe paqësore, në Shqipëri përfunduan të dielën (30.06) Lokalet 2019. Ato janë të parat zgjedhje në Shqipërinë post-komuniste, ku opozita nuk mori pjesë dhe në mbi 50% të bashkive kandidatët e PS për kryetarë bashkie nuk patën asnjë konkurrent nga 35 partitë e tjera që morën pjesë në garë.
Lokalet 2019 shihen nga kryeministri Rama dhe maxhoranca socialiste si dhënia fund e heqjes dorë nga mandatet parlamentare dhe bojkoti i zgjedhjeve nga opozitat. Për opozitën jashtë parlamentit, të kryesuar nga PD ato treguan braktisjen e votimit një partiak, si pasojë e pjesëmarrjes së ulët në votimet,”e paligjshme, moniste”.
Sa votues morën pjesë në Lokalet 2019?
Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ) Drilona Hoxha, tha pas mbylljes së votimeve se ” pjesëmarrja e qytetarëve në votim është 21.6% që do të thotë 771 863 votues” nga 3,5 milion votues që figurojnë në listat përfundimtare të zgjedhësve. Pjesëmarrja më e ulët, sipas të dhënave të KQZ ka qenë në Bashkinë e Lezhës, ku në votim morën pjesë vetëm 8,93 % të qytetarëve dhe më e larta në Bashkinë minoritare maqedonase të Pustecit, ku votuan 55% e qytetarëve. Por PD, që drejton opozitën jashtë parlamentit deklaroi mbrëmë se pjesëmarrja në votime është 15%.
Në 31 bashki, nga 61 që ka gjithsej Shqipëri nuk pati zgjedhje, por vetëm votim. Në këto Bashki përballë kandidatëve të Partisë Socialiste (PS) për kryetar bashkie nuk pati asnjë konkurrent nga partitë e tjera në garë. Sipas KQZ në Lokalet 2019, që u zhvilluan të dielën, morën pjesë 36 parti, të ndara në dy koalicione: “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” drejtuar nga PS dhe “Koalicioni Shpresa për Ndryshim” me 6 parti, e udhëhequr nga Aleanca Kuq e Zi. 9 parti konkurruan jashtë këtyre 2 koalicioneve.
Përtej karakterit një partiak të votimit në 31 bashki dhe pjesëmarrjes së ulët, në Lokalet 2019, pati shumë pak incidente. Sipas deklaratës zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme u proceduan penalisht 3 persona dhe 2 të tjerë u arrestuan me akuzën e pengimit të procesit zgjedhor.
Lokalet 2019- konsiderohen njëherazi fitore si nga Rama dhe Basha.
Kryeministri Rama, në një komunikim publik, në orët e vona të mbrëmjes së te dielës, pas mbylljes së kutive të votimit, i quajti Zgjedhjet Lokale të 30 qershorit “një fitore për një Shqipëri Europiane, humbje me turp e Shqipërisë së djeshme”. Ndërsa kryetari i PD dhe i opozitës jashtë parlamentare, Basha, në fjalën e tij në përfundim të votimit i quajti “braktisje masivive e maskaradës së votimit një partiak të Edi Ramës, refuzim i 85 % të votuesve të regjistruar ndaj votimeve të paligjshme moniste”. Sipas tij votimet e të dielës u karakterizuan, ” nga manipulime masive dhe blerje votash.”
Rama- gati për dialog, Basha jo dialogut me Ramën kryeministë.
Kryeministri Rama i ofroi mbrëmë opozitës jashtë parlamentit dialog dhe marrëveshje “për të zgjidhur krizën parlamentare për të ndihmuar vendin në hapjen e negociatave me BE”. “Nëse duan një marrëveshje për Shqipërinë, ata do të kenë një marrëveshje. Ne mund ta arrijmë atë me dialog, pa parakushte dhe me përpjekje të përbashkëta për të ndihmuar në hapjen e negociatave për t’u bashkuar me BE. Nëse duan paqe politike, paqe do të kenë, dhe jemi gati për të bashkëpunuar në rrugën e integrimit europian”, tha Rama.
Por kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh mbrëmë se “me Edi Ramën në krye në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndryshimi do të vijë shpejt”, tha Basha.
Marrë nga DW.
Top Channel